Voltana Ademi zbardh bisedën telefonike me ministren Manastirliu dhe i shpalos disa kërkesa

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ku sipas saj i ka kërkuar bashkëpunim për të përballuar situatën e shkaktuar nga koronavirusi.

Në një postim në Facebook, zonja Ademi ka zbuluar kërkesat drejtuar ministres Manastirliu mbi numrin e të prekurve nga virusi në qytetin e Shkodrës si dhe numrin e testeve në dispozicion për këtë qark.

Postimi i kryetares të Bashkisë Shkodër Voltana Ademi:

Sot kam patur një bisedë telefonike me Ministren e Shëndetësisë Znj. Ogerta Manastirliu.

Në kuadër të bashkëpunimit për përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia COVID – 19, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës, përfaqësuese e komunitetit, kam përcjellë problematikat që më janë referuar dhe që shqetësojnë qytetarët e Shkodrës.

Duke vlerësuar të domosdoshme marrjen e masave për përballimin e pasojave të pandemisë, transparenca dhe ndarja e informacionit me qytetarët është e rëndësishme.

I kam kërkuar Znj. Ministre informacionin mbi:

Numrin e personave që kanë telefonuar Urgjencën Kombëtare në numrin 127 që nga data 1 janar 2020, banues në Bashkinë Shkodër;

Numrin e personave që kanë telefonuar numrin 127, dhe që janë orientuar të qëndrojnë në shtëpi, me shenja të dyshuara të pandemisë;

Numrin e personave që kanë telefonuar numrin 127, dhe që janë orientuar sipas protokollit shëndetësor për analiza paraprake pas shqetësime që kanë patur, si të dyshuar me COVID-19:

a) Drejt Spitalit Rajonal në Shkodër
b) Drejt Spitalit Infektiv në Tiranë
Numrin e personave që kanë telefonuar numrin 127, që kanë kryer testimin e plotë për COVID – 19, në territorin e Bashkisë Shkodër;

Numrin e testeve në dispozicion të autoriteteve shëndetësore të Bashkisë Shkodër në datën 6 Prill, për rastet e dyshuara me COVID – 19;

Numrin e testeve që priten të vijnë pranë autoriteteve shëndetësore në Shkodër, në ditët në vijim, për realizimin e testimit të personave që dyshohen të jenë prekur nga COVID – 19.

SHKARKO APP