Vorë-Shkodër/ Gati projekti për rikonstruksionin e 121 km linjë hekurudhore

121 kilometra linjë hekurudhore nga Vora në Han të Hotit do të rikonstruktohen me mbështetjen financiare të Komisionit Europian.

Projekti i cilësuar strategjik tashmë është gati dhe po i nënshtrohet dëgjesave publike me bashkitë ku kalon linja hekurudhore.

“Projekti parashikon të gjithë rehabilitimin e linjës hekurudhore, modernizimin e sistemit të telekomunikacionit dhe sistemit të urbanistikës. Është një segment i rëndësishëm, jo vetëm për hekurudhat tona, por edhe për hekurudhat e vendeve ballkanike,” tha Bashkim Kasoruho, drejtor i projektit te rehabilitimit te hekurudhës Vorë – Hani i Hotit.

Ndryshe nga realiteti i viteve të fundit , me këtë ndërhyrje treni do të lëviz me 120 kilometër/orë.

“Do kalojë tërësisht në trasenë ekzistuese, pra do ketë përmirësime shumë të vogla të kthesave për ta rritur shpejtësinë e projektuar që është rreth 120 km/h,” tha Kasoruho.

Në Shkodër do të ndërtohet paralelisht edhe stacioni i ri hekurudhor për të gjithë rajonin e veriut.

“Stacioni i Shkodrës do të rehabilitohet sipas standardeve dhe kushteve,” shtoi Kasoruho.

Problemet më të mëdha që ka sot linja ekzistuese e hekurudhës janë ndërtimet mbi të apo pranë saj, një pjesë e të cilave tashmë të legalizuara.

Për çdo pretendim pronësie do të ketë shqyrtim të dokumentacionin për të kryer dëmshpërblimet sipas parashikimeve ligjore.

Hekurudha Vorë – Hani i Hotit që më tej vijon drejt Malit të Zi dhe Europës pason projektin e rehabilitimit të linjës Tiranë – Durrës, që do të kushtojë 69.7 mln Euro, ku 35.5 mln euro janë grant nga Komisioni Europian.

SHKARKO APP