”Vrapo, mami ka vdekur”, Klodiana u vra nga burri. Mikesha: Njeri i frikshëm, por ajo nuk e denoncoi kurrë
”Vrapo, mami ka vdekur”, bërtiti vajza e vogël e Klodiana Vefës, e shokuar nga ajo që pa. Vrasja e 35-vjeçares me tre plumba pistolete në rrugë në Castelfiorentino të Italisë, ka troditur vendin. Ngjarja tragjike ndodhi pak metra nga shtëpia ku e ndjera jetonte me dy fëmijët, të moshës 14 dhe 17-vjeç. Autor i dyshuar ështëbashkëshorti, Alfredi. Për këtë të fundit nuk ka ende asnjë gjurmë dhe është aktualisht në kërkim nga karabinierët.
Mediat italiane e kanë cilësuar shqiptaren si një grua punëtore dhe të shkëlqyer. Para disa vitesh ajo arriti të ndahej nga i shoqi i cili ishte një njeri i dhunshëm. Jetonte në Itali prej 17 vitesh, dhe 35-vjeçarja punonte si kamariere në një restorant. Mbrëmjen e djeshme, Alfredi mësohet se kishte shkuar në shtëpinë e ish-gruas dhe mes palëve kishte shpërthyer një zënkë. Më pas Klodiana kishte dalë nga shtëpia. Pikërisht në trotuar, pak metra më tutje u vra.
Përjetimin e situatës, Klodiana e ka përcjellë edhe përmes disa postimeve në rrjete sociale. “E njoh shumë mirë veten, jam prej betoni dhe xham. Disa gjëra nuk më prekin, të tjera më shkatërrojnë”.
Një shoqe e Klodianës, po ashtu shqiptare ka thënë se ai ushtronte dhunë të fortë fizike dhe psikologjike. ”Ai njeri ishte vërtet i frikshëm, por Klodiana nuk e denoncoi kurrë atë dhe kjo zgjati për një kohë të gjatë. Nuk e di pse pranoi ta takonte, këtë nuk duhet ta bënte kurrë. Ai kishte filluar një jetë të re, kishte një grua tjetër”.