Vrasësi i turistëve çekë kërkon mëshirë, pas pendimit
Në seancën e sotme në Gjykatën e Shkodrës, Sokol Mjacaj ka kërkuar mëshirë dhe falje për vrasjen e dy turistëve çekë në Prekal të Shkodrës në korrik.
Ai tha se është penduar, duke e arsyetuar krimin me nevoja ekonomike. “Babanë e kam invalid, kurse nëna ka tre vjet që më ka vdekur”, deklaroi 20-vjeçari.
Gjykata e Shkodrës ka vijuar me shqyrtimin e çështjes së vrasjes së dy turistëve çekë në Dukagjin.
Seanca e radhës ndaj shtetasit Sokol Maçaj është monitoruar nga përfaqësuesit e ambasadës së Çekisë në Shqipëri. Vrasja ndodhi në fillim të Qershorit në Dukagjin dhe viktimat ishin dy turistë, 27-vjeçari Michael Svatos dhe e dashura e tij 36-vjeçare Anna Kosinova.
Policia arrestoi më pas shtetasin Sokol Maçaj, një person me precedent penale, i cili e pranoi se kishte kryer vrasje. Në seancën e parë në ngarkim të tij gjykata nuk pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, ndërsa në seancën e fundit Maçaj ka rrëfyer ngjarjen pasi ka kërkuar mëshirë për shkak se kishte babain invalid, ndërsa nëna i kishte vdekur para tre vjetësh. Ai ka kërkuar mëshirë nga gjykata.
“Në shtëpi ndodhej babai me vëllain, dola me qëllim për të grabitur ndonjë turistë. I kam dalë para makinës së turistëve dhe u thashë të më merrnin për në Shkodër, kur jam futur brenda u mora telefonat që të mos lajmëronin policinë. Hasa në rezistencën e drejtuesit të automjetit, i cili tentoi të më merrte armën dhe e qëllova, ndërsa vajzën e kam qëlluar pa dashje në momentin që është rrokullisur makina”.
Ky është një pjesë e rrëfimit të autorit të vrasjes së dy turistëve. Seancat e tjera gjyqësore pritet të vazhdojnë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe pritet që shpejt të jepet edhe pretenca e prokurorit si dhe vendimi i gjykatës. Maçaj, ndërkohë mbrohet me një avokat të caktuar nga gjykata.