Vrasesi kishte dy pistoleta kur bëri vrasjen në ish-Bllok
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë të publikuara sot lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në një lokal në ish-Bllok, duket se autori kishte dy armë me vete.
Po të shohësh me vëmendje filmimin e kamerave të sigurisë, shihet se përveç njërës armë që mbante në dorë, ai ka edhe një armë tjetër në brez.
Nuk dihet përse ai kishte dy armë me vete. Teksa policia ende nuk ka një emër për autorin e dyshuar dhe ai është ende në liri. Autori kishte një kapele në kokë çka e bën të vështirë që ai të identifikohet.
Ermal Muça, zv.drejtor i hetimit të Krimeve të Policisë së Tiranës në studion e emisionit “Opinion” mbrëmjen e sotme tha: “E kemi analizuar disa herë këtë video. Autori ka pasur dy pistoleta. Ka edhe një tjetër në brez nga pas”.
29 persona janë shoqëruar për vrasjen e mbrëmshme në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, ku shënjestër e atentatit ishte Elton Çiço.
Deklarata është bërë nga zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Ermal Muça në emisionin “Opinion”. Muça tha se personi është arrestuar për prishje të vendit të ngjarjes.
Ndonëse zv.drejtori i policisë nuk e përmendi emrin, bëhet fjalë për një prej personave që ndodhej në tavolinë me viktimën.
Burime të Lapsi.al thonë se i arrestuari është mjeku, i cili mbërriti në lokal bashkë me viktimën dhe u ulën në tavolinën ku qëndronte një oficer policie dhe gazetari Spartak Koka. Mësohet se mjeku, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, tentoi të fshehte pistoletën që mbante viktima.
Sidoqoftë deri më tani Policia e Tiranës nuk ka lëshuar asnjë komunikatë për arrestimin e këtij personi.
KOHA JONË SONDAZH

