Vrasësi shqiptar në Britani, do të ekstradohet
Vrasësi i dyfishtë shqiptar që hiqej si refugjatë kosovar në Britani në mënyrë të paligjshme është vendosur që të kthehet mbrapsht në vendin e tij pasi jetoi atje për mëse dy dekada, njofton sot Daily Mail.
Babai i katër fëmijëve, Avni Metra, 53 vjeç, erdhi në Britani në vitin 1998, një vit pasi vrau brutalisht dy vëllezër dhe më vonë u dënua me 25 vjet burg në mungesë.
Ai luftoi për të qëndruar në Britani të Madhe, pavarësisht se ka të drejtë të rigjykohet në Shqipëri, duke argumentuar se në vendin e tij nuk do të gjykohet me drejtësi. Në një seancë të mëparshme për ekstradimin, ai u shpreh: “Nuk ka drejtësi në Shqipëri, vetëm korrupsion…”
Punëtori, që pretendoi fillimisht se kishte ikur nga vendi i tij sepse jeta e tij rrezikohej pas vrasjes së një miku, sipas Daily Mail, argumentoi po ashtu se ai kishte të drejtën për një jetë private dhe personale në Britani.
Gjykatësja e qarkut, Margot Coleman, vendosi në “Westminster Magistrates’ Court” në Londër, të premten, se ai duhet të ekstradohet.
“Eshtë e drejtë që ju keni jetuar këtu për disa kohë dhe që keni një grua dhe fëmijë. Por jeta juaj këtu, jeta juaj në këtë vend është ngritur mbi një gënjeshtër. Kur ju hytë në këtë vend, ju nuk thatë se ishit Avni Metra nga Shqipëria. Ju dhatë një emër falso, duke thënë se jeni një azilant nga Kosova. Mbi këtë bazë juve ju dha leja të qëndronit në këtë vend dhe më pas, një pasaportë britanike.”
Metra, që jetonte në Borehamwood, Hertfordshire, u arrestua nga hetuesit e “Scotland Yard” më 8 qershor.
Metra kishte veshur një bluzë blu me mëngë të shkutra dhe pantallona bezhë ndërsa qëndronte në bankën e të akuzuarve. Ai qëndroi pasiv me krahë të mbledhur kur dëgjoi vendimin e gjykatës, përcjell Syri.net.
Metra kishte përdorur nenet 6 dhe 8 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut për të kundërshtuar ekstradimin e tij.
Gjykatësja Coleman e hodhi poshtë mbrojtjen e tij sipas së cilës, ai nuk duhej ekstraduar në Shqipëri, pasi atje nuk do t’i bëhej një gjykim i drejtë.
Ajo tha: “Përsa i përket shqetësimit tuaj për të drejtat sipas nenit 6, ky vend ka ekstraduar njerëz në Shqipëri dhe nuk ka pasur asnjë problem në lidhje me to. Ju nuk keni absolutisht asnjë provë për të mbështetur pohimin tuaj se do t’ju mohohet e drejta për një gjykim të drejtë. Nuk ka asnjë arsye që të jetë dhënë para meje për të arritur në këtë konkluzion.”
Edhe mbrojtja e Metrës mbi bazën e asaj që ai kishte të drejtë për një jetë familjare në Britani nuk u pranua.
Gjykatësja Coleman tha: “Për atë që familja juaj është e shqetësuar, ju jeni dënuar për dhunë ndaj gruas suaj dhe i jeni nënshtruar një urdhëri kufizimi.” Gjykata gjithashtu dëgjoi se Metra ishte ndaluar të shihte fëmijët e tij pa leje.
Gjykata në fund caktoi që dosja t’i dërgohej Sekretarisë së Brendshme, e cila do të marrë vendimin zyrtar mbi atë se kur do të ekstradohet dhe se Metra do të mbetet në paraburgim./Syri.net
KOHA JONË SONDAZH

