“Vrasja e dytë” e Merushes/ Djali varros të atin vrasës, por jo nusen
Merushe Hazizi u vra nga babai i bashkëjetuesit, pasi 61-vjeçari Xhevahir Hoxha nuk pranonte faktin që 30-vjeçarja kishte 3 fëmijë nga martesa e parë. Por Merushja u vra për herë të dytë sot. Në banesën e fundit, të ndjerën e përcollën vetëm prindërit e saj. Fatjon Hoxha varroi vetëm të atin vrasës.
Por edhe në ceremoninë e 61-vjeçariit, banorët e fshatit Vidhishtë në Roskovec të Fierit, nuk ishin. Në të dyja ceremonitë mortore kishte shumë pak njerëz. Çifti më herët ishin larguar nga Roskoveci, dhe kishin jetuar në Vlorë, por problemet ekonomike e detyruan çiftin të ktheheshin në fshat e të punonin serat.
Rikthimi i Fatjonit në fshat pranë familjares edhe pas zënkave të shumta nuk e bindën 61-vjeçarin të pranonte fatin e djalit të tij po çoi deri në fund inatin e mospranimit të dashurisë së të rinjve, duke i marrë jetën 30-vjeçares e më pas vetes së tij.
Çdo vit Shqipëria shënon statisika shqetësuese të grave të vrara dhe të dhunuara. Vitin e shkuar humbën jetën 16 gra e vajza ku autorë ishin partnerët apo familjarët e tyre. Nëse duam të mbrojmë gruan, duhet të heqin pjesën e kalbur të sistemit mbrojtës, të kemi polici, gjykatë dhe shoqata që punojnë, e jo që vajtojnë pas çdo vrasje dhe harrohen në zyra.