Vrasja e Lamaj, ja argumentat që përplasin Prokurorinë me Gjykatën

 

Qëndrimi i Prokurorisë është diametralisht i kundërt me atë të Gjykatës jo vetëm në vendimin përfundimtar të dhënë, por edhe në argumentet e përdorura nga trupi gjykues në deklarimin e pafajësisë.

“Nuk jemi njohur ende me vendimin e plotë të zbardhur dhe me mënyrën si është argumentuar shpallja e të pandehurit si i pafajshëm. Por, sapo vendimi të na vihet në dispozicion, aktet e dosjes do të rishqyrtohen dhe mbi bazën e provave të paraqitura në gjykim do të paraqesim ankim në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda”, kanë thënë dje burimet e Prokurorisë, shkruan Panorama.

Të njëjtat burime theksuan se nuk dëshirojnë të bëjnë komente mbi vendimin e Gjykatës, i cili mund të atakohet vetëm me anë të rrugës ligjore të kundërshtimit në gjykatat më të larta. Megjithatë, burimet e Prokurorisë shtuan se vendimi i dhënë nga Gjykata, të paktën me aq argumente sa janë paraqitur në seancën e fundit gjyqësore, konsiderohet i padrejtë.

GABIMI ME PAMJET E KAMERAVE Sipas Prokurorisë, Gjykata ka interpretuar në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë provat e marra gjatë hetimit gjyqësor në lidhje me pozicionin e dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka në vendin e ngjarjes.

Tri kamerat e sigurisë që kanë filmuar në skenën e ngjarjes, sipas prokurorëve nuk shfaqin gjithë zonën në fjalë pranë vendit ku ka ndodhur vrasja e Dritan Lamajt. Sipas Prokurorisë, për këtë arsye, Gjykata aludon, kur shprehet se dëshmitari ka mbërritur me vonesë në vendin e ngjarjes pas largimit të trupit të Dritan Lamajt.

“Në vendimin e saj, Gjykata deklaroi se thëniet e dëshmitarit nuk janë të besueshme pasi nga kamerat e marra në shqyrtim ai nuk duket të ketë qenë pranë vendit të krimit. Nëse marrim të mirëqenë këtë shprehje të Gjykatës, atëherë trupi gjykues aludoi se dëshmitari nuk është fiksuar nga kamerat, por nuk përmendi asnjë provë apo fakt që të provonte se Arben Ndoka nuk ka qenë në një kënd tjetër të pakapur nga kamerat pranë vendit të ngjarjes”, thanë burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre, argumenti i përdorur nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda për përjashtimin e dëshmitarit okular dhe pavlefshmërinë e dëshmisë së tij, nuk përbën provë katërcipërisht përjashtuese. Nga ana tjetër, Prokuroria pretendon se në aktet e dosjes ndodhet një video në të cilën është regjistruar në kënd të largët prania e dëshmitarit në zonën ku ka ndodhur atentati ndaj komisarit të Policisë. Prokuroria tha se kjo video është paraqitur në Gjykatë në seancën e datës 9 korrik të vitit 2014.

KUNDËRSHTIMI PËR PROVAT Një tjetër argument i Gjykatës së Krimeve të Rënda në vendimin e pafajësisë së Arben Frrokut ishte fakti se dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur nuk ishte e harmonizuar me provat e tjera në proces. Por, sipas Prokurorisë, dëshmia në fjalë është provuar se është e vërtetë, pasi mbështetet edhe nga prova të tjera të cilat u administruan gjatë gjykimit.

“Dëshmia gjen mbështetje për sa i përket mekanizmit të ngjarjes, pozicionit të makinave të autorëve dhe viktimës, mënyrës së të larguarit nga vendi i ngjarjes i autorëve, distancat e rrugëve, përshkrimi i tyre, ndriçimi, pozicioni etj., nga procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, skica e vendit të ngjarjes, tabela fotografike, procesverbali i rikëqyrjes së vendit të ngjarjes, tabela fotografike e rikëqyrjes së vendit të ngjarjes”, theksoi Prokuroria.

PERPLASJA PROKURORI- GJYKATE Gjykata Nga pamjet filmike konstatohet vetëm një çift të ketë kaluar pranë trotuarit të një marketi pranë vendit të ngjarjes. Nuk konstatohet kalimi i ndonjë çifti tjetër. Prokuroria Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se në aktet e ndodhura në dosje ka një material filmik nga njëra prej tri kamerave që kanë filmuar në vendin e ngjarjes.

Në atë material, sipas Prokurorisë, është përcaktuar gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit vendi ku ka qenë dëshmitari i mbrojtur në zonën ku ka ndodhur ngjarja. Prokuroria pretendon se një video të tillë e ka lënë në administrim të Gjykatës në seancën e datës 9 korrik 2014. Gjykata Nga pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes nuk konstatohet që ndonjë nga anëtarët e çiftit të ketë prerë rrugën kur një automjet “BMW” kalon me shpejtësi aty.

Në dëshminë e tij, dëshmitari Ndoka ka pretenduar se automjeti i vrasjes ka ardhur me shpejtësi drejt tij dhe gati sa nuk e ka marrë përpara. Nga pamjet filmike nuk konfirmohen thëniet e dëshmitarit të mbrojtur. Rezulton se nga koha e ndodhjes së ngjarjes deri te shfaqja në pamjet filmike të çiftit ka një diferencë kohore prej 3 minutash e 53 sekondash.

Referuar pamjeve filmike, çifti afrohet te vendi i ngjarjes rreth 1 minutë pasi automjeti me trupin e viktimës ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Pamjet filmike nuk zbulojnë qartë identitetin e çiftit. Dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur, Arben Ndoka, nuk përputhet me dëshminë e bashkëshortes së tij, Liza Ndoka dhe dëshmitarit Ylli Memia në lidhje me vendin se ku është takuar dëshmitari i mbrojtur me zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit pas ngjarjes.

Ndoka ka pretenduar se është takuar në shtëpinë e tij. Ndërsa bashkëshortja e tij, Liza Ndoka, ka dëshmuar se ditën e ngjarjes, pasi bashkëshorti e ka përcjellë në shtëpi, ai ka dalë dhe është kthyer shumë vonë. Ajo ka rrëfyer se bashkëshorti i kishte thënë se i kishte takuar zyrtarët e policisë në shtëpinë e Ylli Memisë. Sipas saj, në shtëpinë e tyre nuk ishte biseduar për vrasjen dhe nuk kishte ardhur asnjë zyrtar i lartë i Policisë.

Prokuroria Sipas Prokurorisë, dëshmia provohet se është e vërtetë, pasi mbështetet edhe nga prova të tjera, të cilat u administruan gjatë këtij gjykimi, ku po i ndajmë në vijim në disa momente: Së pari, kjo dëshmi gjen mbështetje për sa i përket mekanizmit të ngjarjes, pozicionit të makinave të autorëve dhe viktimës, mënyrës së të larguarit nga vendi i ngjarjes i autorëve, distancat e rrugëve, përshkrimi i tyre, ndriçimi, pozicioni etj, nga procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, skica e vendit të ngjarjes, tabela fotografike, procesverbali i rikëqyrjes së vendit të ngjarjes, tabela fotografike e rikëqyrjes së vendit të ngjarjes dhe pamjet filmike të siguruara nga tri drejtime e konkretisht nga pamjet e supermarketit “K….”, të lokalit “xxxxx” dhe kamera e shtetasit S.D. 37.

SHKARKO APP