Vrasja e turistit portugez në Ksamil, në kërkim pronari i lokalit “Principotes”
Policia ka shpallur në kërkim Bekim Bulicën, pas vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.
Bulica rezulton i lidhur me lokalin “Principotes”, ku ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rolin e personave të përfshirë në konflikt dhe rrethanat që pasuan vrasjen.
Për ekzekutimin e turistit portugez është arrestuar Sokrat Vata, 29 vjeç, i cili u kap disa orë pas ngjarjes në aksin Levan–Fier. Sipas të dhënave të bëra publike, Vata u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti.
Bekim Bulica rezulton gjithashtu i lidhur me një hotel të njohur në Ksamil, ndërsa në dokumentacionin zyrtar si pronare figuron nëna e tij, Kade Bulica, 72 vjeçe.
Në kuadër të hetimeve për ngjarjen, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar edhe Moisid Matushajn, specialist hetimi në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.
Sipas të dhënave të hetimit, Matushaj punonte gjithashtu si roje sigurie në të njëjtin grup me Vatën. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që i parapriu vrasjes dhe se mund të ketë ndihmuar autorin të largohej nga vendngjarja.
Ndërkohë, emri i Bekim Bulicës është përmendur edhe më herët në materiale hetimore që lidhen me dyshime për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Sipas të dhënave të përcjella më herët nga autoritetet franceze drejt institucioneve shqiptare, emri i Bulicës ishte përmendur në kuadër të informacionit për një rrjet shpërndarjeje kokaine në Paris.
Po sipas këtyre të dhënave, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) kishte raportuar më herët pranë institucioneve për aktivitetin e dyshuar të tij, ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kishte nisur verifikime në lidhje me dyshime për pastrim parash.
Hetimet për vrasjen në Ksamil vijojnë, me synimin për të përcaktuar rolin e plotë të Bekim Bulicës, të personave të arrestuar dhe të çdo personi tjetër që mund të ketë qenë i përfshirë para, gjatë ose pas ngjarjes.
Deri në përfundimin e hetimeve dhe një vendim përfundimtar të drejtësisë, pretendimet që lidhen me veprimtari të tjera penale ndaj personave të përmendur mbeten në nivel dyshimesh dhe materialesh hetimore.
KOHA JONË SONDAZH

