Vrasja e Xhuvanit, Lala: Manipulimi i ngjarjes vulosi fatin e Elbasanin
Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se duhet të ngrihet pyetja se përse strukturat e policisë fshehën të vërtetën për ngjarjen e ndodhur në 21 prill në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
E ftuar në “Open”, Lala thotë se duhet mbajtur të paktën përgjegjësi morale për deklarata kontradiktore të bëra në publik pas ngjarjes. Ajo tha se mënyra se si u manipulua ngjarja, u caktua edhe se çfarë do të ndodhte më pas me Elbasanin, vend që sipas Lalës, dominohet nga grupet kriminale.
“Në 26 prill 2021, Gjykata nxori për masë sigurie të gjithë persona e përfshirë, Arbër Paplekaj dhe anëtarët e tjerë të strukturës së ngritur nga PD. Gjithë pyetja që duhet të shtrojmë sot, është pse zyrtarët gënjyen katër ditë para zgjedhjeve? Prokurori Shehu, të cilin e kam filmuar me celularin tim sepse nuk u lejua në kamera, tha gjë tjetër në sallën e gjyqit, renditi materialet e gjetura në vendngjarje ndërkohë që më parë kishte thënë që nuk u gjetën materiale zgjedhore në makinë.
Përse e bëri këtë gjë? Ka një shpjegim logjik, s’kam fakte, por ka shpjegim logjik, mënyra si u manipulua përcaktoi atë që do ndodhte më pas me Elbasanin. Sot dy zyrtarët që gënjyen publikisht i ke të shpërblyer, njëri është në SPAK, njëri…Këtu minohet institucioni, tentativa për të manipuluar ngjarjen. Por policia nuk bën këshillim në këto situata, Policia këshillon kur ndalon një qytetar pa rrip sigurimi.
Këtu duhet të ketë përgjegjësi morale. Do duhet të hetohen nëse ka përgjegjësi penale, duhet ta hetojë Prokuroria. SPAK për çfarë është ngritur? Për çështje të tilla. Edhe nëse nuk shkohet në përgjegjësi penale, ata kanë përgjegjësi morale,”- tha Lala.