Vrasja mafioze e ish-deputetit Ujka, policia pa pistë

Nga: Redjon Shtylla

Një 20-vjeçar me shenja baruti në duar, është shoqëruar nga Policia për ekzekutimin mafioz të ish-deputetit Pashko Ujka në qytetin e Shkodrës, pak ditë më parë. Për kryepolicin Gledis Nano, krimet e bujshme si politike apo dhe kriminale, janë sekrete hetimore dhe me shumë gjasa, se kush e vrau dhe pse u vra Ujka, nuk do të mësohet kurrë. Për ironi, zbulimi i të tillave krimeve nuk ndodh, pasi Shqipëria është përballur me vrasje mafioze që dosjet kanë mbetur ende në sirtaret e institucioneve të drejtësisë, dhe kanë zënë pluhur pa mësuar shkaqet pse janë vrarë figurat e larta politike në vend.

Grupi hetimor i cili po heton vrasjen, duket se është larg arritjes së konkluzioneve dhe ngritjes së pistës kryesore të hetimit. Hetimet u përqendruan tek e shkuara politike, por nuk ka rezultuar si pistë në gjetjen e ndonjë gjurme.

Fakt interesant është se zona kishte defekt në furnizimin me energji elektrike, çka detyroi grupin hetimor të bëjë sekuestrimin e kamerave në një hapësirë të gjerë për të parë nëse ka lëvizje të dyshimta. Deri më tani, nuk ka asnjë provë që të çojë te pista konkrete.

Të vetmen provë që ka grupi hetimor është se vrasja është kryer nga vrasës profesionist, i cili ka qëlluar pas shpine ish-deputetin, edhe pse në zonë kishte lëvizje, autori ka qenë i favorizuar nga moti me reshje të dendura shiu dhe mungesës së ndriçimit publik në zonë.

Shqipëria prej kohësh është nën ndikimin e pushtetit të bandave dhe grupeve rivale që vrasin, por këto banda ndër vite kanë pasur edhe mbështetjen e partive politike, edhe pse kurrë nuk është folur hapur. Bandat dhe grupet mafioze nuk pyes për shtet, gjakun nuk e falin, tradhëtitë jo dhe hakëmerren edhe nën sytë e Policisë së Shtetit.

Ngjarjet kriminale kanë shtuar në masë vrasësit me pagesë. Statistikat si një tregues i rëndësishëm i sigurisë publike, tregojnë se vrasjet me dashje janë relativisht një zbulueshmëri të ulët. Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se efektshmëria në zbulimin e tyre ka pësuar luhatje në dekadën e fundit, ku trendi ka qenë rënës.

Indeksi Global i Krimit e rendit Shqipërinë ndër 70 vendet me kriminalitet të lartë dhe me aftësi të vogla për ta përballuar e luftuar atë. Krimi i organizuar shqiptar po shkon drejt financave përmes zyrtarëve të lartë, por edhe me bashkëpunimin e sistemit të drejtësisë.

SHKARKO APP