Vrasja në Kamëz, hakmarrje për të “fortin e Laprakës”

Qerim Skacaj duket se u ekzekutua mëngjesin e djeshëm në Kamëz, për shkak të një hakmarrje të vjetër.

Bëhet fjalë për vrasjen e Julian Agollit, që njihej edhe si “i forti i Laprakës”, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2005. Agolli u vra në prag të shtëpisë, ndërkohë që atëhere u fol se vrasja ishte hakmarrje për vrasjen e Fatmir Dautit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004.

50-­vjeçari Qerim Skacaj ishte mik me këtë të fundit dhe dyshohet se është përfshirë në vrasjen e Agollit, raporton “Panorama”.

Dhe, ditën e djeshme, në këtë zinxhir hakmarrjesh, i ka ardhur radha edhe 50­vjeçarit me origjinë nga Kukësi.

Ai kishte disa precedent penalë në Shqipëri dhe Greqi. Ekzekutimi i tij mendohet se është kryer nga vrasës me pagesë.

Atij ju afrua një person, e pyeti nëse ishte Qerim Skacaj, dhe pasi ky i fundit pohoi se ishte ai, e ka qëlluar dy herë, në kokë dhe trup.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në prani të djalit të mitur të viktimës.

“E kanë qëlluar në sy të djalit 4 vjeç. Kjo është më e tmerrshmja. Ata kriminelë që e kanë qëlluar nuk kanë pasur mëshirë as për djalin e mitur që ka parë gjithçka dhe padyshim do të kalojë një trauma”, ka thënë vëllai i viktimës, Muharrem Skacaj.

SHKARKO APP