Vrasjet monstruoze të 2016-ës…
Krimet më të bujshme të vitit, viktimat u vranë edhe të dhunuar, 2016 një vit i zymtë
Nga: Redjon Shtylla
Edhe sa? Në këtë atmosferë festive, lajme të tilla mund t’i përngjajnë filmave horror, por në vend të heshtjes e të festës, sot më shumë se kurrë duhet reagim. 2016 ikën me një bilanc të rëndë, vrasje, atentate që tronditën opinion shqiptar. Edhe pse po lëmë pas një vit, ku lajmet e kronikës së zezë pushtuan portalet, gazetat, edicionet televizive, emisione pa fund, por që sot mund të jetë duke ndodhur një tjetër krim. Viktima të pafajshëm, fëmijë që vriten nga prindër, gra që dhunohen nga bashkëshortët e në mënyrë mizore vriten, por dhe gra që vrasin, e bënë 2016 një vit të zymtë. Në një vend kaq të vogël, krime të kësaj natyre janë të rënda. Këto janë krimet më të bujshme. 2017 le të jetë një vit pa viktima, pa dhimbje.
1 SHKURT 2016
Krimi brenda familjes, ku pas një debati të ashpër, Kujtim Ibraj, vrau me thikë të bijën 17-vjeçare dhe plagosi vajzën tjetër. Gjykata e dënon me 35 vjet burg.
6 PRILL 2016
Gardisti Admir Dervishi pas debatit me bashkëshorten, e vret këtë të fundit në sy të dy fëmijëve, me armën e punës. Viktima e kishte denoncuar disa herë për dhunë dhe kishte marrë urdhra mbrojtjeje.
21 PRILL
Ardit Zenelhoxha, i pa martuar, mbyt me duar nënën e tij 69-vjeçe Nedije Zenelhoxha, ndërsa ajo ndodhej në gjumë në dhomën e saj.
23 PRILL
Petrit Dushi u ekzekutua nga forcat RENEA në fshatin Gziq të Mirditës, i dënuar për vrasje.
1 MAJ 2016
Elton Çica u ekzekutua me armë zjarri. I riu u qëllua me dy plumba në kokë brenda një lokali pranë stadiumit “Selman Stermasi”.
8 MAJ 2016
Shpëtim Shala, biznesmen i njohur në Durrës, u gjet i vrarë me armë zjarri në automjetin e tij, tip “Volsvagen”, me targa AA 086 HJ. Ai është qëlluar disa herë me armë zjarri pranë një lokali në zonën e plazhit.
2 QERSHOR 2016
Konflikti në familje, Afrim Kallari, 43 vjeç vrau me çifte vëllain e tij Elmir Kallarin, 36 vjeç dhe plagosi nënën. Vetë Kallari u shpreh se: ”Vëllain e vrava se mbillte hashash”.
19 QERSHOR 2016
Mikel Xhiko 35 vjeç masakroi me thikë bashkëshorten 29 vjeçe dhe më pas vrau edhe veten, duke lënë pas një fëmijë jetime, 6 vjeçe. Çifti kishte disa kohë që jetonte me qira në një apartament në Lagjen nr. 17 të Korçës. Ai ka pritur që gruaja e tij të zhvishej dhe të futej në tualet, ku kishte mbushur vaskën me ujë.
13 KORRIK 2016
Aksidenti i frikshëm që i morri jetën 45-vjeçares, Dhurata Prifti, e cila për të shpëtuar dy fëmijët e saj u përplas me makinën që e drejtonte 20 vjeçari, Andrea Memollari. Për të ndjerën në seancën plenare u mbajt edhe një minutë heshtje.
18 KORRIK 2016
Mirela Buzalli, 35 vjeç nga Vau i Dejës, vrau bashkëshortin 45- vjeçarin Shkëlzen Buzalli, duke e qëlluar më sëpatë në kokë, ndërsa ky i fundit ishte duke fjetur gjumë. Viktima ka qenë duke fjetur gjumë dhe nuk ka pasur asnjë mundësi reagimi. Gjatë rrëfimit të saj, 35- vjeçarja Buzalli ka treguar se ka vrarë bashkëshortin për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike që ai ushtronte ndaj saj.
24 KORRIK 2016
Dy persona humbën jetën nga breshëritë me kallashnikov, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur. Krimi u regjistrua në lagjen “Partizani”, pranë Bashkisë së Vlorës, ku viktimë mbeti Ilir Deromemaj, rreth 53 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, pronar i një pike eurollotoje në këtë lagje, si dhe Dhimitër Çani, rreth 60 vjeç, banues po në Vlorë.
24 KORRIK 2016
Burri i dehur masakron gruan me thikë, duke e qëlluar atë shtatë herë në pjesë të ndryshme të trupit. Ngjarja e rëndë ndodhi në sy të fëmijës së tyre 11 vjeç, pasi bashkëshortët janë dëgjuar nga fqinjët të debatonin pak para krimit.
3 GUSHT 2016
Turisti rus, Denis Kaiumov 43-vjeçar kishte zgjedhur Shqipërinë për të kaluar disa ditë pushime familjare. Por ai ndërroi jetë pasi u godit nga një skaf. Ngjarja shkaktoi një reagim të madh të politikës edhe për shkak të autorit të aksidentit.
7 GUSHT 2016
17-vjeçari Ardit Gjoklaj u gjend i vrarë në landfillin e Sharrës. Ekspertiza mjekoligjore, konfirmoi vrasjen e të riut me fadromën, e cila ka qenë duke punuar me pirgun e mbeturinave, më 7 gusht 2016. Ende sot vdekja e Ardit ka enigma dhe ka lënë të hapur akuzat politike.
15 GUSHT 2016
Krimi i pasionit më i rëndi që ndodhi gjatë 2016, por që ende sot prezanton versione të lidhjes, vrasjes dhe vetëvrasjes. Ishte mëngjesi i 15 gushtit kur Sokrat Shani, 65 vjeç, u gjend i vetëvrarë në banesën e tij në Lushnje. Por aty u zbulua edhe letra që ai kishte lënë. Në Golem u gjend trupi i pajetë i Jondia Çanakun, 29- vjeçarja me atë cilën ai kishte një lidhje që nuk kishte mbështetjen e familjes së Jonidës.
17 GUSHT 2016
Ngjarja e rëndë që tronditi të gjithë, ndodhi mesditën e 17 gushtit, në vendin e quajtur Palasë në Himarë. Jorgo Zani, një person me kartelë, i lënë i lirë, masakroi në mënyrë kanibale kushëririn e tij 12-vjeçar. Ai i preu kokën dhe me të shëtiti në rrugë. Zani rezulton të ketë qenë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, për shkak të probleme të shpeshta mendore. Familjarët e 12 -vjeçarit kishin dy ditë që ishin larguar dhe kishin lënë djalin e tyre në banesën e gjyshes.
27 GUSHT 2016
Një tjetër bashkëshort i merr jetën gruas. 73-vjeçari Veli Dervishi vrau ish-bashkëshorten Shazivare Dervishi, 68 vjeçe në banesën e tyre në Golem. Veli Dervishi ka qenë duke debatuar për motive të dobëta me shtetasen Shazivare Merja (Dervishi) nga e cila edhe pse ishte divorcuar, bashkëjetonte me të në të njëjtën banesë.
2 SHTATOR 2016
Në Torovicë të Lezhës, David Qosja, po terrorizonte me kallashnikov banorët duke qëlluar në ajër. Nga të shtënat mes autorit dhe policisë, mbeti i vdekur efektivi i FNSH-së Ardian Kodra, i cili u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Policia mbajti të rrethuar e për 5 orë autorin e vrasjes, deri sa e neutralizoi brenda banesës së tij. Sipas ekspertizës David Qosja, nuk ka probleme mendore.
13 SHTATOR 2016
Ngjarja e rëndë mes dy bashkëmoshatarëve që për ironi të fatit kanë emra të njëjtë, u shënua në Pogradec, në nisje të vitit të ri shkollor. 18-vjeçari Fabio Hila, u qëllua me automatik dhe ndërroi jetë rrugës për në spital. Autori i krimit 18-vjeçari Fabio Musollari. E qëlloi në zemër, ndërsa viktima i përgjërohej poshtë banakut.
21 SHTATOR 2016
29-vjeçari Ardjan Mesiti u masakrua me thikë nga bashkëfshatari i tij pas sherrit për një femër. Autori, 25- vjeçarin Arlind Llalla, i cili punonte si çoban e vrau të riun pas sherrit për një femër.
3 TETOR 2016
Sherri që nisi për një lojë pokeri në Dajç të Shkodrës, mori viktima të pafajshëm. Mbrëmjen e 3 tetorit, autori i masakrës në Dajç ka shtënë plot 38 herë. Nga plumbat vdiqën Arjet Saiti, 42 vjeç dhe Gacalin Kopshti, 30 vjeç, ndërsa u plagosën 4 persona të tjerë, në një lokal në qendër të fshatit.
6 TETOR 2016
Jozef Mujeci 21 vjeç nga Lezha vrau Genc Mhillaj, 42 vjeç pasi para disa ditësh kishin kaluar një konflikt. Ai e vrau me armë pas kokës pasi siç ka rrëfyer vetë 21 -vjeçari, viktima e kishte ofenduar.
22 TETOR 2016
57-vjeçari vrau me çifte bashkëshorten dhe plagosi kunatën pas një sherri banal në banesë. Kasem Lila ishte operuar nga një tumor në tru dhe i kishin ndërprerë KEMP-in. Ai kishte javë që nuk kurohej për depresion dhe se ishte bërë shumë nervoz.
7 NËNTOR 2016
Artan Hoxha, mbeti i vrarë gjatë grabitjes së karburantit ku punonte, nuk ka pasur një jetë aspak të lehtë. 44-vjeçari nga fshati Gjashtë i Sarandës, punonte për të mbajtur familjen e tij, e cila jeton në kushte të vështira. Autori deklaroi se nuk kishte qëllim të vriste Hoxhën, por vetëm të grabiste.
11 NËNTOR 2016
Etleva Ndoka, vritet në parukerinë e saj, nga ish i dashuri, 31-vjeçari Alfred Nikolli. Ngjarja e rëndë, e cila tronditi opinion publik kjo pasi Ndoka ka qenë e martuar dhe nënë e një fëmije tre vjeç.
21 NËNTOR 2016
Atentati në periferi të Fierit la të vdekur në vend Nelgert Patën dhe plagosi mikun e tij që ishte në timonin e makinës. Në zinxhirin e atentateve për hakmarrje, të nisura 16 vjet më parë mes Elton Çiçës e Jani Alisë, vrasja e Nelgert Patës është e katërta.
14 NËNTOR 2016
E qëlluan me thikë dhe më pas tentuan ta djegin me qëllim për të zhdukur gjurmët. Teknologu i Uzinës së Naftës së Ballshit, Shefo Duraj, mori me vete dhe misterin e vrasjes.
1 DHJETOR 2016
Në Elbasan 37- vjeçari Erion Mihallari u ekzekutua. Policia tha se i riu i sapokthyer nga Italia dhe u qëllua dy herë në afërsi të stacionit të trenit me një pistoletë. Për këtë ngjarje 9 persona u shoqëruan në polici si të dyshuar apo që kanë dijeni për rrethanat e vrasjes. Biznesmeni u vra nga një “polic” me silenciator.
3 DHJETOR 2016
Ferdinand Ruko 52 vjeç nga Fieri, pasi e rreh dhe e zhvesh lakuriq bashkëshorten e tij Liljana Ruko, 43 vjeç, e hedh nga dritarja duke i shkaktuar vdekjen. “Shkova në shtëpi dhe Liljana nuk më pranoi. Nisëm grindeshim, i futa duart në fyt dhe e shtrëngova fort. I thashë: Mbylle gojën se kjo gojë e shkatërroi shtëpinë dhe familjen. Më goditi në fytyrë dhe më tha: Kriminel, gjakpirës”, -tha ai.
5 DHJETOR 2016
Bilanci tragjik mbyllet me krimin në Korçë. Naum Toshi 41 vjeç, mbyti dy fëmijët minoren dhe më pas u vetëvar në shtëpinë e tij pas braktisjes që bashkëshortja i kishte bërë familjes. Një ngjarje e rëndë që shënon kulmin e çdo ngjarjeje tjetër makabre që ka ndodhur në vend.
14 DHJETOR 2016
Musa Saraçi kishte udhëtuar nga Gosa për në Kavajë, i pajisur me thikë, ndërsa më pas prenotoi një taksi. I riu e kërcënoi 65-vjeçari Idriz Kariqin për sendet personale dhe paratë dhe hasi në rezistencën e tij. Autori e goditi 8 herë në fyt dhe në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa për të humbur gjurmët, trupin e hodhi në disa shkurre.
22 DHJETOR 2016
Në qendër të Laçit, nën kërcënimin e armës, Aldi Lleshaj ka zbritur nga makina e llojit “Porsche” pronarin e saj, duke ia grabitur mjetin. Pas kësaj grabitje, pronari i makinës ka njoftuar policinë e cila ka vendosur postbllok në dalje të qytetit në disa rrugë dytësore. Në afërsi të Fush-Gjormit është shfaqur i riu me makinë, ku edhe patrulla i është vënë në ndjekje.
KOHA JONË SONDAZH

