Vrau kunatën me sopatë, policia arreston autorin

Është arrestuar i kërkuari Erdet Çapoku pas vrasjes makabre të kunatës së tij, Enkeleda Çapoku në Paskuqan dje në mbrëmje. Deri para dy vitesh, Enkeleda dhe Erdeti jetonin bashkë në një banesë me qira. Mes tyre ka patur mosmarrëveshje, ndaj Erdeti, i përzënë nga shtëpia shkoi të jetonte me të dashurën e tij, në një tjetër banesë me qira. Bëhet me dijeni se kur Erdeti u nda me të dashurën nisi të konfliktohej me kunatën për orenditë shtëpiake, mosmarrëveshje që duket se u shuan kur kunata i dha orenditë që ai donte.

I riu nuk mundi kurrë ta falte faktin që e detyruan të ikte nga shtëpia, ndaj e përndiqte dhe filmonte kunatën dhe filmimet në fjalë ia dërgonte bashkëshortit të saj në burg, çka nxiste konflikt mes çiftit. I burgosuri i hakërrehej së shoqes që të mos dilte kurrsesi nga shtëpia.

E gjitha kjo situatë e detyroi kunatën që ta denonconte Eredet Çapokun për përndjekje dhe dhunë, çka solli një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje. 34-vjeçari e kërcënonte të ndjerën që ta hiqte denoncimin, përndryshe do ta vriste, kërcënim të cilin e finalizoi mbrëmjen e djeshme. Çapoku ka hyrë me forcë në shtëpinë ku gjendej Enkeleda. Fillimisht ka goditur nënën e saj, e cila ka qenë zgjuar, për të shkuar më pas në dhomën e gjumit ku ka masakruar 39-vjeçaren.

SHKARKO APP