Vr*sësi është mes nesh dhe ka marrë 36 jetë

Nga DORJANA BEZAT

E hëna dhe e marta ditë atdhedashurie. Kudo përkuqte flamuri kombëtar e jehonte kënga “O sa mirë me qenë shqiptar”. Këto ditë i pasoi e nesërmja, kur në një rrugicë të Laknasit për një fjalë goje komshiu vrau komshiun për një kanal. Pse nuk kishte paguar 5 para për ndërtimin e tij 70-vjeçari zgjodhi ta paguajë me 7 plumba duke vrarë e plagosur fqinjët.

Ky nuk është rast i izoluar. Vetëm gjatë këtij viti në vendin tonë kanë humbur jetën 36 persona pjesa dërrmuese e tyre për një fjalë goje. Dikush për një kanal, dikush për një gotë alkool; ”pse më fole keq?”, “pse më pe shtrembër?”, “pse i bëre like të dashurës në instagram?” dhe lloj-lloj argumentesh të tjerë që të gjitha nëse i merr sëbashku nuk vlejnë sa një jetë. Nuk vlejnë as 20 e kusur vite që do të kalojnë në burg autorët. Thyerje fenerash makine, karikues celularësh, zënie e vendit të parkimit edhe vite më parë kanë marrë jetë. Madje kanë shërbyer edhe si pikënisje për një sagë hakmarrjesh që ka vijuar si lojë dominoje duke shtuar vit pas viti viktimat.

Është utopike të mendosh një shoqëri pa krim, për aq kohë sa edhe Abeli vrau Kainin, por është ulëritëse të mendosh që filli i tolerancës mes nesh është kaq i hollë sa zgjidhja gjendet vetëm tek pistoleta TT dhe kallashnikovi. Komuniteti, inspektorët e zonës, komisariatet nuk dinë asgjë deri në momentin kur pas dy fjalësh të shkëmbyera plasin armët e në tokë mbeten gëzhoja e trupa pa frymë.

Shpesh nëpër panele televizive por edhe auditore diskutohet gjerësisht mbi krimin e organizuar, vrasjet për trafiqe droge, mafian etj. Për krimet banale flitet fare pak. Edhe njoftimet e policisë mbyllen me fjalinë “për motive të dobëta”. Ngjarja të nesërmen harrohet sepse nuk i ngjan një triller-i ku zbërthehen përgjime, kode dhe strategji. Skema në këto vrasje është e thjeshte nis dhe përfundon aty. E para është fjala, i dyti plumbi. Të dy (ose edhe më tepër) protagonistët e mbyllin në një sekondë jetën e tyre. Njëri i vdekur e tjetri në burg. Shpesh lënë pas dhe një hasmëri e në rastin më të keq një detyrim për marrje gjaku.

Çfarë e shtyn një person të vrasë për një debat të çastit?

Pse është normalizuar kaq shumë marrja e jetës?

Nga buron ky frustrim që shprehet tek arma? Këto pyetje mbeten pa përgjigje.

Pas javësh apo muajsh ndodh krimi tjetër pothuajse identik me të parin ku ndryshojnë vetëm emrat e protagonistëve. Kanali zëvendësohet me diçka tjetër po aq banale. Nëse për atë llojin e parë të krimit përgjegjësinë e gjejmë tek autoritetet të cilat kanë detyrimin për të hetuar e parandaluar ngjarjet (megjithëse në rastet e fundit kemi parë policë të rreshtuar në anën e kundërt të ligjit), tek krimet banale parandalimi është zero.

Çdokush me një armë në dorë është i dyshuar për t’u bërë vrasës për një shikim, për një parkim etj. Viti i mbrapshtë ’97 është gati 2 dekada larg, megjithatë pasojat janë ende të freskëta. Armë të fshehura prej atij viti por dhe të blera rishtas mbjellin vdekje kudo. Ngjarje si kjo e të mërkurës pasdite strehon nevojën emergjente për çmilitarizimin e popullsisë.

Gjatë festave kombëtare iu ktheva leximit të një shprehjeje ikonike të presidentit amerikan Xhon Kenedi “Mos pyet se çfarë ka bërë atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun tend”. Patriot e shqiptar të mirë të bën edhe dorëzimi i një arme pa leje që qëndron diku fshehur si një vrasës i fjetur. Më shumë se sa të bërtasësh në stadium veshur kuq e zi dashurinë për vendin tënd e tregon edhe kur hesht në një konflikt dhe e lë policinë të veprojë dhe gjykatën të shprehet. Burrë nuk të bën arma! Nëse do të jesh një shqiptar i mirë e një njeri me vlera ul kokën e puno. Pasqyrat ndërrohen, kanalet ndahen, GJITHÇKA KTHEHET VEÇ JETËS.

SHKARKO APP