
Një koment për partneren e të akuzuarit dyshohet se qëndron në zanafillën e konfliktit që përfundoi me vrasjen e 22-vjeçarit shqiptar, Lorik Abazi, në Croydon, në jug të Londrës.
Sipas prokurorisë, Abazi kishte kaluar mbrëmjen e Shën Valentinit me partneren dhe miqtë e tij në një sallë bowlingu, ku më pas dyshohet se situata u përshkallëzua në një përplasje të dhunshme.
Ngjarja ndodhi në orët e para të 15 shkurtit, kur Abazi u plagos me thikë dhe u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Dy të rinj të tjerë, 21 vjeç, mbetën të plagosur.
Për ngjarjen akuzohet Ellis Anim-Annor, i cili mohon akuzat për vrasje dhe plagosje me dashje. Çështja po shqyrtohet në gjykatën Old Bailey në Britaninë e Madhe, ndërsa procesi pritet të zbardhë rrethanat dhe motivet e konfliktit.