Vr@sja e Martinit, kërkohen oficerë sigurie në shkolla
Në fillim të vitit shkollor 2024-2025 u njoftua shtimi i oficerëve të sigurisë në 40 shkolla më shumë duke e çuar numrin në total 240 punonjës të sistemit arsimor parauniversitar, jo vetëm në gjimnaze por edhe në 9-vjeçare. Rasti fatal i nxënësit të shkollës ”Fan Noli” solli kërkesën për rritjen e sigurisë në çdo institucion arsimor. Një urdhër i fundit i Ministrisë së Arsimit shpall 62 vende vakante për oficerë sigurie në 25 zyra vendore arsimore, ku kërkesa më e madhe është në Tiranë me 15 vende të lira, më pas renditet Kruja dhe Lezha me nga 5 secila e qytete si Dibra apo Vlora me 3.
Në urdhër përcaktohen edhe emrat e institucioneve arsimore publike ku ka nevojë për oficerë sigurie, e bie në sy gjimnazi Ismail Qemali, Kristo Frashëri apo shkollat 9 vjeçare Isa Boletini, Sabaudin Gabrani. Kur shkolla me emër kanë mungesë oficerësh, në një dalje me prindërit, ministrja Ogerta Manastirliu pranoi nevojën për rritjen e sigurisë, ku krahas vakancave do arrihet numri me shtesa të tjera së shpejti në 276 oficerë sigurie. “Këtë vit do të shtojmë rreth 36 shkolla të tjera me oficerë të rinj. Fuqizimi i instrumenteve për parandalimin e dhunës është shumë i rëndësishëm”, tha Manastirliu.
Aplikimet janë të hapura deri në datë 18 dhjetor e pasi të bëhet verifikimi i dokumentacionit deri në 24 dhjetor ku kusht i rëndësishëm për përzgjedhjen e tyre është të mos kenë qenë të dënuar më parë apo të mos kenë masë disiplinore aty ku kanë punuar më parë, kandidatët do i nënshtrohen edhe një interviste në fazën e dytë të konkurrimit përballë një komisioni me 5 anëtarë 2 përfaqësues nga Ministria e Arsimit, 2 nga Ministria e Brendshme dhe 1 nga Urdhri i Psikologut. Dy ditë pas intervistës do të publikohet lista me të kualifikuarit të cilët kanë detyrim trajnimin 1 mujor të Akademisë së Sigurisë dhe kush kalon me sukses testimin me shkrim, certifikohet. /TCH/