Vr*sja e turistit portugez, shkon në 12 numri i të arrestuarve
Shkon në 12 numri i personave të arrestuar pas vrasjes së turistit portugez në Ksamil, ngjarje që tronditi zonën turistike. Mes të arrestuarve është edhe 24-vjeçari Moisid Matushaj, banues në Gjirokastër dhe Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka ndihmuar 29-vjeçarin Sokrat Vata të largohej nga vendi i ngjarjes pas krimit.
Matushaj dhe Vata punonin si pjesë e kompanisë së sigurisë “Elite Security” në ambientet e “Principote”, ku Vata ushtronte detyrën e rojes së plazhit. Pas vrasjes, 29-vjeçari u largua nga Ksamil dhe u arrestua nga policia në Fier, pas lokalizimit të tij.
Policia ka shpallur gjithashtu në kërkim Bekim Bulicën, i cili dyshohet se është pronari në hije i lokalit “Principote”. Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka nisur për motive të dobëta. Një nga pistat që po verifikohet nga autoritetet lidhet edhe me një femër.
Miguel Mendes kishte mbërritur në Ksamil së bashku me një grup turistësh për të kaluar pushimet në jug të Shqipërisë. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të shumta, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të konfliktit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
KOHA JONË SONDAZH

