Vr*sja e turistit, zbardhet dëshmia e Sokrat Vatës: Nuk e di sesi e kam goditur
Në seancën për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, Sokrat Vata ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, duke pretenduar se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes. Vata ka deklaruar se gjithçka nisi pas një konflikti me një grup turistësh francezë, të cilët po shkaktonin zhurmë në lokal. Ai ka treguar se shoku i tij u ka kërkuar turistëve të qetësoheshin, por situata është tensionuar dhe më pas ka kaluar në përleshje fizike.
Sipas dëshmisë së Vatës, gjatë konfliktit një prej turistëve kishte një thikë. Ai pretendon se ia ka marrë armën e ftohtë pasi e kishte neutralizuar. Më pas një tjetër turist e ka goditur me shkelm në nofull, duke e rrëzuar në tokë. Vata ka deklaruar se teksa turistët po tentonin ta godisnin sërish, ai ka reaguar instinktivisht për t’u mbrojtur.
“Nuk e kujtoj si e kam goditur. Isha në shok. Nuk e dija nëse ndonjëri prej tyre ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku jam larguar”, ka deklaruar Vata. Në gjykatë ka dëshmuar edhe shtetasi turk Nuh Mahmutoglu, i cili e njihte Vatën për shkak të bashkëpunimit në shoqërimin e turistëve. Mahmutoglu ka deklaruar se Vata e ka telefonuar rreth orës 06:30 dhe i ka kërkuar ta shoqëronte drejt Tiranës, duke i thënë se ishte rrëzuar nga motori.
Gjykata e Sarandës vendosi “arrest në burg” për Sokrat Vatën. Të njëjtën masë sigurie gjykata caktoi edhe për shtetasit turq Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu, të cilët dyshohet se tentuan ta largonin Vatën me automjet.
Për Ildi Cekanin dhe Ardit Kasemin u vendos masa “arrest në burg” për 45 ditë. Luciano Seferi, Moisi Matushaj, Romeo Shehu, Murat Zhabina dhe Kristo Kosho do të hetohen me masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
KOHA JONË SONDAZH

