Vuçiç tregon ofertën për Kosovën: Prishtina po kryen “spastrim gradual etnik” në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pranoi se trupat ushtarake janë tërhequr nga kufiri mes dyja vendeve, pas thirrjeve nga SHBA dhe BE, teksa u justifikua me faktin se për manovrat ushtarake vendosin drejtuesit e ushtrisë dhe jo ai. Vuçiç tha se kurrsesi nuk dëshiron një luftë me Kosovën, pasi do të ishte një konflikt me NATO-n.

“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar tani. Ne duam të shohim një prani më të madhe të KFOR-it në Kosovë”, u shpreh presidenti serb.

Pyetjes nëse organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radojçiç, do të vihej para drejtësisë, ai u përgjigj duke thënë se drejtësia do të bëjë punën e saj, por pa konfirmuar nëse do ta dorëzojë atë tek autoritet e Kosovës. “Problemi është se serbët donin të mbroheshin dhe unë nuk do të mbroj vrasjen e një polici shqiptar, nuk e bëra. E dënova”, nënvizoi Vuçiç.

Ai akuzoi Prishtinën se po kryen “spastrim gradual etnik” në veri, për të cilin Amanpour tha se Bashkimi Europian dhe SHBA nuk pajtohen me këtë vlerësim. Në një moment, gazetarja Amanpour i përmend president serb se zakonisht flet ndryshe për ndërkombëtarët dhe ndryshe për popullin serb.

“Kam bërë gjithçka që u kam thënë miqve tanë nga SHBA-ja dhe BE-ja se do të bëj, dhe ekziston kushtetuta e Serbisë dhe duhet ta respektoj atë”, tha Vuçiç.

Një tjetër pyetje që irritoi Vuçiçin, ishte ajo e raporteve me Millorad Dodik, me Amanpour që kërkoi përgjigje nëse qëndronte Vuçiç pas tensioneve te fundit në Bosnje dhe Hercegovinë, ku Republika Srpska kërcënon me shkëputje. “Mos fusni fjalë në gojën time që si kam thënë unë”, u përgjigj Vuçiç, mjaft i irrituar. Në fund u pyet edhe nëse mbështet mesazhin e sportistit Novak Gjokoviç, ku gjatë një eventi shkruajti në kamera “Kosova është zemra e Serbisë”, duke u përgjigjur se është një ide që e përkrah 99% e popullatës në Serbi, duke lënë te kuptohet, përfshirë vetë atë.

SHKARKO APP