Xhixho: Ilir Meta tregoi që është lider duke dalë në listën e hapur

Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho flet për bashkëpunimin me PD dhe angazhimi i strategut amerikan Chris LaCivita. ”Një nga risitë më të mëdha të fushatës sonë është bashkëpunimi me Chris LaCivita, strategu që ka drejtuar fushatën e presidentit amerikan Donald Trump. Ai sjell një tjetër energji dhe fokus tek mesazhet që denoncojnë 12 vitet e krimit dhe keqqeverisjes së Edi Ramës”,-u shpreh Xhixho.
Ajo u ndal edhe te vendimi i Ilir Metës për të qenë pjesë e listës së hapur në qarkun e Tiranës, duke e cilësuar si një akt frymëzimi. ”E gjithë përpjekja për izolimin e Metës ka qenë për ta penguar në fushatë dhe për të goditur Partinë e Lirisë. Megjithatë, vendimi i tij për të qenë në listë të hapur ka ngjallur emocione dhe një sensibilizim të jashtëzakonshëm te strukturat tona”.
Xhixho kujtoi se Meta nuk e pranoi këtë format të listës së hapur në 2008-ën, kur bëri grevë urie kundër ndryshimeve kushtetuese. ”Kjo është një betejë që ai do ta vazhdojë edhe në parlament. Kjo nuk është thjesht fushatë, është një mision për të mbrojtur demokracinë dhe përfaqësimin real”.