“Yldon Media Group” Sipërmarrja e vitit 2014 . Ylli Ndroqi në krye si më i miri i biznesit

Personalitete që kanë mbështetur sipërmarrjen dhe kompani të suksesshme në tregun shqiptar janë vlerësuar me çmime nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë. Në mbrëmjen e kthyer në traditë, është vlerësuar kreu i Kuvendit, Ilir Meta dhe presidenti i “Yldon Media Group” z.Ylli Ndroqi

Tiranë – Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë ka vlerësuar të gjitha ato personalitete që i kanë dhënë mbështetje sipërmarrjes në Shqipëri.

Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, i kërkoi dhe një herë vëmendje shtetit për klimën e biznesit e sidomos të jetë i kujdesshëm me rritjen e taksave që u bë këtë vit.

“ Viti 2014 shënoi integrimin e sipërmmarrjes private duke e përfaqësuar atë me të drejtë votë në Parlamentin e Sipërmarrjes Private Europiane. Më lejoni të shpreh rezervat e Dhomës së Tregtisë për një sërë ligjesh që rrisin sistemin tarifor të taksave dhe që rëndojnë sipërmarrjen private. Urojmë që të jetë ky, momenti i duhur për të reflektuar, për të gjitha ato inisiativa që kaluan pa marrë parasysh propozimet tona”, u shpreh Jaka.

Të pranishëm në këtë mbrëmje kanë qenë presidenti i vendit Bujar Nishani, kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe autoritete të tjera.

“Është komuniteti i biznesit ai i cili prodhon shumë, të ardhura, infrastrukturë, dhe natyrisht mbi të gjitha, optimizëm, dhe ne sot më shumë se kurrë kemi nevojë për pak më shumë optimizëm”, u shpreh presidenti Nishani.

Vlerësimin për kreun e Kuvendit, Ilir Meta, me motivacionin “Lideri i Forcës Politike në mbështetje permanente ndaj sipërmarrjes private”, ia dorëzoi kreu i Shoqatës së Konsujve të Nderit, Ylli Ndroqi.

“Ajo që unë do të doja, është që këtë çmim do ta mbaj në zyrën time. Kënaqësia e dyfishtë është që morra çmimin nga Dhoma e Tregtisë, por njëkohësishtë që ma dha kryetari i Konsujve të Nderit të Shqipërisë, zoti Ylli Ndroqi”, cilësoi kryeparlamentari Meta.

Edhe vetë kompania e z. Ndroqi, “Yldon Media Grup”, u nderua me çmimin “Sipërmarrja më e mirë e vitit 2014, në investim, teknologji, dhe cilësi mediatike”, një çmim që u dorëzua nga zv/kryeminsitri Niko Peleshi.

“Sot me të vërtetë ndihem krenar, jo vetëm për këtë vlerësim si “Media Yldon”, por unë këtë vlerësim po ja dedikoj stafit të “RTV Ora News”, “Channel One”, radios, kompanisë që e mbështet dhe të çojë tek publiku shqiptar gjithmonë atë që i mungon këtij publiku”, u shpreh Presidenti i kompanisë “Yldon Media Grup”, Ylli Ndroqi.

Dhoma e Tregtisë ka vlerësuar me çmime disa kompani të suksesshme në treg në disa fusha, si në ndërtim, hoteleri, sigurime etj.

SHKARKO APP