Zyrtari me listë notash të falsifikuar/ Reagimi: Do kandidoj për kryetar bashkie
Drejtori i burimeve njerëzore në burgun e Drenovës me dy numra amze në regjistër. Drejtori: Ma bëjnë për inat se do kandidoj për kryetar bashkie
Skandal në burgun e Drenovës. Një zyrtar i lartë i këtij burgu figuron me liste notash të falsifikuar.
Fiks Fare ka verifikuar në regjistrat e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Ersekë, ku ka gjetur se emri i zyrtarit të burgut figuron me dy numra amze dhe dy lista notash.
FIks Fare tregon sesi është bërë korigjimi në regjistrat e shkollës dhe mesatarja e zyrtarit është rritur nga 6.5 në 10.
Drejtori i burimeve njerezore ne burgun e Drenovës, në regjistrat e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” figuron me dy emra, Origest Nevruz Lifo dhe Orges Nevruz Lifo. Gjeneralitetet i ka të njëjta.
Ai ka mbaruar gjimnazin në vitin 2000 dhe në vitin 2006 nga një kontroll gjendet se ky ish- nxënës figuron më dy numra amze, përkatësisht nr.2242 dhe nr.2274.
Në të dy emrat, si Origest Novrus Lifo dhe Orges Novrus Lifo, gjeneralitetet nuk ndryshojnë, kurse notat po. Në amzën e dytë lista e notave është me të gjitha 10-ta, por me karakteristika që i përket një vajze.
Në këtë shkollë pas diplomimit të Lifos, nga viti 2002 deri në 2006 sekretare e shkollës së mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” Ersekë, ka qënë motra e tij. Vetë zoti Lifo pohon se motra e tij është larguarnga puna pas konstatimit të këtyre korigjimeve në regjistër, por sipas tij, ky ka qenë shkaku për ta larguar atë nga puna.
Në tetor 2014 është bërë një kallëzim në Prokurorinë e Korçës, por që në 30 janar 2015 hetimi mbyllet për shkak të tejkalimit të afateve hetimore.
Gazetarët e Fiksit iu drejtuan shkollës “Petro Nini Luarasi” ku drejtoresha e këtij gjimnazi shpjegon se si janë ndryshuar numrat e amzave. Ajo pohon se në 2006 është ngritur një komision i cili ka konstatuar disa falsifikime. Ndër tyre figuron edhe emri i zyrtarit të lartë të burgut të Drenovës. Komisioni i ngritur pa se, Orges Lifo me nr. amze 2274 ka korigjime notash që nuk korenspondojnë me notat përfundimtare nga regjistrat e viteve shkollore që disponon drejtoria e shkollës. Po i njëjti person thuhet në raport, figuron dhe me nr. amze 2242, ku korigjimet janë të dukshme.
Për të marrë një përgjigje më të plotë, gazetarët iu drejtuan vetë zyrtarit të burgut të Drenovës, zotit Orges Lifos.
Lifo nuk pranoi të jepte intervistë përballë kamerës, por me shpinë. Ai pohon se nuk e di se kush e ka bërë këtë gjë dhe e gjitha është pasi duan t’i dëmtojnë figurën e tij. Kjo, për shkak se ai aktualisht mban një post politik në qytetin e Ersekës, është kryetar i FRESSH-it dhe kërkon të hedhë kandidaturën për kryetar Bashkie në zgjedhjet e ardhshme .
Ai pohon se ka përdorur vetëm diplomën me mesatare 6.5 në të gjitha institucionet. Lifo pranon punësimin e motrës së tij si sekretare në vitet 2002-2006 dhe më pas këto falsifikime sipas tij janë bërë për inat. Gjithashtu ai tregon se nuk i është dashur mesatarja për të fituar shkollën e lartë pasi ai është diplomuar në universitetin privat UFO, dega Juridik. Kurse nga nga një shkresë që ka siguruar redaksia e Fiks Fare, Universiteti i Tiranës pohon se zoti Lifo ka konkuruar për të njëjtën degë, Juridik, në këtë universitet dhe nuk ka fituar.
Edhe pse e mohon gjatë intervistës së ka ndryshuar emrin, Fiks Fare siguroi një certifikatë familjare të zotit Lifo ku ai figuron me emrin Orgi dhe jo Orgest.
Sipas shënimit të bërë nga drejtoria e gjendjes civile, zoti Lifo ka ndryshuar emrin me kërkesë të tij në vitin 2004.
KOHA JONË SONDAZH

