Zamira Durda: Në 8 vjet, 213 seanca gjyqi për Gërdecin e asnjë falje

Gërdeci pas 8 vjetësh mbetet një plagë e hapur për familjarët e viktimave, të cilët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. Zamira Durda pas pushimit  të gjyqit penal ka nisur një proces gjyqësor në Strasburg kundër Ministrisë së Mbrojtjes.

“Kam qenë në 213 seanca gjyqësore. Më kanë shtyrë, përzënë, por nuk dorëzohem. Djali im iku 8 vjeç nga kjo botë. Kur e gjeta të djegur 65% të trupit, më kërkonte ujë dhe më recitonte vjershën Thuthuqi, aty ku kishte arritur me mësime. Fjala e parë që më tha ishte më fal, që ika pa leje. Mua njeri nuk më ka kërkuar falje qysh atëherë”, shprehet ajo për emisionin “Dritare”.

Ndërsa e pyetur se kë fajëson, zonja Durda thotë:

“Unë fajësoj Ministrinë e Mbrojtjes , sepse nuk ka bërë detyrën, nuk më ka mbrojtur. Ishim në shtëpi, ne nuk ishim në luftë. Këtu nuk gjejmë dot drejtësi. Ndaj po e pres nga jashtë.

E kemi çuar çështjen në Strasburg në 2009. Sepse ishte krim shtetëror dhe shteti im nuk e ka hetuar. Di që janë kryer të gjitha procedurat. Dhe penalisht është mbyllur, asnjë nga 29 të pandehur nuk ka faj.

Dhe në procesin civil kemi përballë Ministrinë e Mbrojtjes që mbron paraardhësit e vet. Dhe normal se ata të njëjtët janë, u ndërrua Mediu me Kodhelin, po në gjyqe ministria paraqitet me të njëjtit njerëz.

Unë kam përballë të njëjtën zyrë juridike të Ministrisë së Mbrojtjes, që nuk pranon as faj, as të paguajë dëmshpërblim. Këta janë të njëjtit njerëz dhe sillen njësoj,  pavarësisht se kush është në pushtet.”

E pyetur më pas për gjyqin ne Strasburg, Zamira Durda shpjegon se “edhe atje ka përballë Ministrinë e Mbrojtjes, që mbrohet se çdo gjë se çdo gjë ka qenë në rregull, me VKM.  Ministria mbrohet në mënyrë qesharake, se gjithçka duhet të bëhej në kuadër të integrimit në NATO. Dhe u bë në fushë të hapur, ku kishte njerëz, gra dhe fëmijë. Pse kështu thotë NATO, që demontimi duhej të bëhej në mënyrë?

Ministria në kuadër të Moratoriumit  të Pyjeve dhe Rehabilitimit në repartin e Gërdecit, ku ka ardhur edhe ministrja Kodheli dhe kanë mbjellë ullinj. I kam dalë para makinë së saj, kam dashur ta takoj, kam protestuar, se nuk mund të mbjellë ullinj në një tokë që e kemi larë ne me gjak. Më shtyu policia ushtarake, kështu më kanë shtyrë edhe në gjykatë. Jam mësuar tani, po nuk dorëzohem.

Gërdeci është ende krater i hapur. Po nuk u dha drejtësi për të, kot që jetojmë në këtë vend”.

SHKARKO APP