Zbardhen përgjimet, si i bënte pazaret zv.drejtori i burgjeve
Përgjimet telefonike janë karta më e fortë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mbi hetimet që çuan në pranga ish-zv.drejtorit të përgjithshëm të burgjeve Iliaz Labi dhe 4 administratorë të cilët konkurruan në mënyrë fiktive pas një marrëveshjeje paraprake se duhet të fitonte vetëm njëra prej shoqërive.
Nga materialet e hetimit rezulton se nga data 23 maj deri më 3 qershor të dyshuarit flasin intensivish në telefon me njëri-tjetrin për tenderin e ushqimeve për burgjet, vlera e të cilit llogaritet të jetë 20 milionë.
Mes 4 administratorëve përmendet anulimi i prokurimit, ndërsa pas kësaj zv.drejtori i përgjithshëm Iliaz Labi i kërkon takim në telefon administratorit të shoqërisë “MB. Kurti”, Shemsi Sinani.Mes të tjerash, zyrtari e urdhëron: “po nuk erdhe sot mos hajde fare”. Të njëjtën qëndrim Labi mban edhe me administratorin tjetër Ylber Kalaja.
Më datë 3 qershor, pas shpalljes fitues të shoqerise “Nelsa” dhe lehtësirave që iu krijuan gjatë procedurës së prokurimit, zyrtari i burgjeve, të dy administratorët diskutojnë se cili prej tyre duhet të shkojë ta mbarojë atë punë. Në një moment Shemsi Sinani e pyet Kalanë.
“Një apo dy”, dhe ai i përgjigjet “dy, duhet të mbajmë ekuilibër se s’kemi çfarë të bëjmë me këto të tjerat”. Në fakt shifra 2, sipas Prokurorisë se Krimeve të Rënda, është shuma prej 2 milionë lekësh që iu pagua zyrtarit të burgjeve për këtë aferë, shkruan “Top-Channel”.
Ndërsa më datën 25 Maj, Labi ka komunikuar me Shemsi Sinanin, edhe ky i fundit i arrestuar. Nëndrejtori i kërkon llogari se përse nuk e takon, duke i vënë edhe kushtin që, nëse nuk vinte atë ditë, do ishte më mirë mos të vinte fare.
“Shemzi, po sa duhet me të taku ty o burrë i dheut, 1 vit”, e pyet Labi, ndërsa Sinani e i përgjigjet se kishte qenë nga jugu dhe nuk kishte patur mundësi të shkonte ta takonte.
Labi i shkruan përsëri: “Robi thotë, vij, dhe nuk vij… Po se kam bërë njëzet mesazhe o burrë…”
Sinani i thotë se do të shkonte atë ditë, ndërsa Labi i përgjigjet: “Po nuk erdhe sot, mos hajde fare, nuk të dua fare, po s’erdhe sot”. Sinani i përgjigjet se do të shkonte patjetër.
Në datën 3 Qershor, Ylber Kalaja, edhe ky i arrestuar, i thotë Shemsi Sinanit që të shkojë të takojë atë dyshin se e kishte çmendur me mesazhe.
“Eee, po shko takoje njëcikë atë dyshin atje o burrë, atje se më çmendi me mesazhe. I thashë, i kam thenë Shemes, me ardhë me të taku…” Sinani i thotë se kishte vajtur dy herë dhe nuk e kishte gjetur.
Kalaja i thotë përsëri: “Po shko mbaroje atë punë tani o burr i dheut…”
Ky i fundit e pyet sa duhet t’i japë, 1 apo 2. Kalaja i thotë që 2, se nuk dihet si merr puna, pasi u duhet të mbajnë ekuilibër. Shemsiu i thotë ndër të tjera se nuk u ngelet gjë, duke pretenduar se ishin shumë 20 milionë lekë të vjetra.
“Po 2 o burrë tani, se s’jemi kalamaj, se s’dihet si mer puna o burrë i dheut. Të mbajmë ekuilibër o burrë i dheut, po hajde e ulim një cikë atë, le të ulët o burrë i dheut, se çar do bëjmë me këto të tjerat a e kupton. A më kupton… Ne kemi mbajt ekuilibër gjithë këto kohë, tani ta dhjesim në fund fare, kot. Më kupton.”
Sinani i përgjigjet: “Mirë po, s’po na ngelet gjë, e kupton. Tani po them unë siç thoshe ti, tani ti s’po thua gjë…”
Kalaja i thotë përsëri: “… kemi bërë vetë këtë mënyrë, a e kupton dhe ne s’do ta dhjesim tani në fund fare, kot, a e kupton”.Sinani bie dakord.
Ylber Kalaja i sqaron se kishin rënë dakord, duke lënë të kuptohen se nuk ishte hera e parë që fitonin tendera në këtë mënyrë. Në datat 4 dhe 6 Qershor janë kryer dhe dy përgjime të tjera, ku katër administratorët e firmave bien dakord për të paguar rryshfetin prej 20 milionë lekë të Nëndrejtori i Burgjeve, Iljaz labi.
Po në 6 Qershor, Ylber Kalaja i thotë Shemsi Sinanit që do të takohen për kafe dhe të marrë me vete vulat e dy subjekteve “Starti” dhe “Kurti” .
KOHA JONË SONDAZH

