Zbardhet ngjarja. Si u shpëtoi “Stresi” policëve

Ambientet e katit të dytë të kësaj ndërtese të Komisariatit nr.3, prej muajsh shfrytëzohen nga efektivët e policisë rrugore, pasi godina e tyre po rikonstruktohet. Kanë qenë këta efektivë, që mëngjesin e së shtunës, kanë tentuar të ndalojnë në dy raste makinën, që drejtohej nga Arkimed Lusha, i njohur si “Stresi”. Per shkak se këngëtari nuk ka ndaluar, targa e makinës së tij iu shpërnda patrullave të policisë të cilat në orën 5 të mëngjesit e kanë ndaluar “Stresin” në Laprakë. Me pas i riu është shoqëruar në ambientet e kësaj godine nga policia rrugore, për ti bërë testin e alkoolit dhe verifikimet e rastit.

Gjatë shoqërimit dhe qëndrimit në komisariat, “Stresit” nuk i janë vënë prangat nga policia rrugore. Në testin e alkoolit, sipas raportit te dorëzuar në prokurori, “Stresi” ka rezultuar, se nuk kishte konsumuar, ndaj po procedohej penalisht për “mosbindje ndaj urdhrit të policisë”.

Rreth orës 8 të mëngjesit, Arkimed Lusha, ka kërkuar nga tre oficerët tashmë të arrestuar, të dalë në korridor për të pirë një cigare. Kjo është pranuar dhe me te dalë, “Stresi”, ka hapur dritaren dhe ka zbritur, duke ikur me vrap.

Mësohet se 3 minuta më pas, është konstatuar largimi i tij nga ambientet e policisë. Ndërkohë lajmi i arratisjes, është dhënë rreth orës 18 të mbrëmjes së shtunë, kohe kur edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ka nisur hetimet.

Në përfundim të këtij hetimi, janë arrestuar tre punonjësit e policisë rrugore, Saimir Cinga, Bashkim Dybeli dhe oficeri Mark Gjonpalaj, ndërsa janë pezulluar 9 efektivë të tjerë për neglizhence dhe mos raportim të rastit.

Arkimed Lushaj tashmë do të procedohet penalisht për tre akuza, atë të “mos bindjes ndaj urdhrit të policisë”, “largim nga vendi i vuajtjes se denimit” dhe “drejtim të mjetit pa patente”. Ndërkohë në media, Stresi ka deklaruar, se ndodhet jashtë shtetit dhe nuk do të dorëzohet në polici.

SHKARKO APP