Zbardhet përplasja në Sarandë, 4 persona në kërkim, arrestohet dhe një prej të plagosurve
Policia ka dokumentuar plotësisht ngjarjen e rëndë me armë zjarri që ndodhi një ditë më parë në lagjen nr. 3 të Sarandës, ku dy shtetas mbetën të plagosur. Hetimet e deritanishme kanë çuar në shpalljen në kërkim të katër personave, mes tyre edhe autori i dyshuar i të shtënave.
Në kërkim është shpallur shtetasi R. Z., 43 vjeç, banues në Sarandë, i dyshuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë. Bashkë me të janë shpallur në kërkim edhe E. C. (36 vjeç), A. M. (43 vjeç) dhe K. J. (31 vjeç), të tre nga Saranda, të dyshuar për “Përkrahje të autorit të krimit”.
Sipas policisë, konflikti nisi për motive të dobëta mes katër shtetasve nga Saranda dhe dy të rinjve nga Tirana, G. H., 33 vjeç dhe E. L., 25 vjeç, që përfundoi në përplasje fizike dhe më pas në përdorimin e armës së zjarrit nga R. Z., i cili i plagosi rëndë të dy. Aktualisht, G. H. dhe E. L. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë hetimeve, G. H., njëri prej të plagosurve, u kap në posedim të një pistolete tip “Beretta”, e cila iu sekuestrua bashkë me një krehër që përmbante 9 fishekë. Ai u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Në vendin e ngjarjes u sekuestruan gjithashtu katër gëzhoja të armës së zjarrit, arma e sekuestruar dhe municionet përkatëse.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e katër të shpallurve në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Sarandë për veprime të mëtejshme.
KOHA JONË SONDAZH

