Zbardhet skema e mashtrimit me azilin në Gjermani, 5 të arrestuar

Një ditë pasi policia ndaloi 12 autobusë me shqiptarë të cilët kishin për qëllim nisjen e tyre drejt Italisë e më pas drejt Gjermanisë për të kërkuar azil, policia e Vlorës  deklaron se ka vënë në pranga 5 persona. Ata akuzohen për ndihmë të kalimit të paligjshme të kufirit si dhe falsifikim dokumentesh.

Mes të arrestuarve është edhe administratori i agjensisë së udhëtimeve ndërkombëtare ”Agimi Travel”Agim Vledini Mucaj. Ndërsa ka nisur procedimi penal për 4 persona të tjerë.

Ndërkohë në Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ambasadori gjerman janë nisur drejt Vlorës ku në orën 11:00 do të zhvillojnë një takim në drejtorinë e policisë së këtij qyteti.

Të arrestuarit kishin krijuar një skemë mashtrimi ku në këmbim të një bilete prej 140 eurosh qytetarë do të udhëtonin fillimisht drejt Italisë më pas në Mynih të Gjermanisë ku do të kërkonin azil ekonomik.

“Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë të mundur kalimin e paligjshëm të kufirit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh nga Shqipëria për në Gjermani me qëllim përfitimin finaciar duke dizinformuar qytetarët” thuhet në njoftimin e policisë së Vlorës.

Arrestimet e kryera dje

Agim Vledini Mucaj, vjec 55, banues në lagjen “1 Maji”Fier, administrator i agjensisë së udhëtimeve ndërkombëtare “Agimi Travel”;

2. Shezai Bedo Aliaj, vjec 45, banues në fshatin Fitore, pronar i pikës së Western Union në Novoselë;

3. Kastriot Avdi Hoxhaj, vjec 43, banues në fshatin Fitore, Komuna Novoselë, gjithashtu u arrestuan per veprën penale “Moskallzim krimi” shtetaset,

4. Denisa Avdul Mitro, vjec 26, banues në Fier, agjente e shitjes së biletave në agjensinë “Agimi Travel”,”;

5. Matilda Pandeli Mazreku, vjec 26, banuese në Fier agjente e shitjes së biletave në agjensinë “Agimi Travel”.

Si mashtroheshin qytetarët dhe udhetimi qe atyre iu premtua

Të arrestuarit kishin hapur lajmin në fshatrat e komunës së Novoselës Vlorë se Gjermania pranonte azilantë ekonomikë. Intenerari i udhëtimit do të ishte nisja me autobusëve të Agjensisë “Agimi Travel”  nga Fshati Novoselë  i Vlorës si dhe nga vendi i quajtur Autogrilli në qytetin e Fierit.

Fillimisht  ata do të kalonin Pikën e Kalimit Kufitar të Portit Vlorë me pas Brindizi te Italise dhe me tej do të shkonin për në Mynih të Gjermanise  ku dhe do të kërkonin azilin ekonomik.

Bileta kushtonte 140 euro vetëm ardhje.

Gjithashtu për të bërë të mundur kalimin e kufirit të udhëtarëve, nga shtetasit Shezai dhe Kastriot Aliaj,  krahas shitjes së biletës nga Shqipëria për në Gjermani në pikën e Western Union në Novoselë, siguroheshin edhe ftesa të parregullta të cilat dyshohet se janë të fallsifikuara. Shumë persona, mes tyre edhe me familje ndërmorën udhëtimin.

Si u zbulua mashtrimi
Policia arriti në zbulimin e kësaj skeme mashtrimi në momentin kur mësoi se paraditen e 18 dhjetorit 2014 një grup personash të organizuar do të udhëtonin drejt Gjermanisë nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Porti Vlorë me qëllim kërkimin e azilit ekonomik në këtë shtet.  Policia bëri verifikimin e dokumentacionit dhe rezultoi se 245 persona kishin pasur mangësi të dokumentacionit dhe janë prapësuar.

50 shtetas,   u morën në pyetje në lidhje me zbulimin e kësaj skeme mashtrimi. Ata ishin banorë të fshatrave të komunës Novoselë-Vlorë të cilët kishin siguruar bileta për të udhëtuar për në Gjermani me autobusët e agjensisë “Agimi Travel”.

Policia sekuestroi të gjitha biletat e udhëtimit dhe dokumentet justifikuese për kalimin e kufirit si dhe i gjithë dokumentacioni i agjensisë Agimi Travel dhe pikës së Ëestern Union në Novoselë në pronësi të shtetasit Shezai Aliaj.

SHKARKO APP