Zbardhet vrasja e vitit ’97

Prokuroria e rrethit të Beratit ka njoftuar se ka zbardhur një vrasje të ndodhur në vitin 1997, duke identifikuar autorin e saj.

Nga informacionet e fundit mësohet se, pas një hetimi të gjatë prokurorët kanë identifikuar shtetasin Bashkim None si autorin e vrasjes së Hasan Shallarit.

Sipas burimeve, ngjarja në fjalë ka ndodhur 25 prillin e 18 viteve më parë. Mësohet se autori i krimit është shpallur tashmë fajtor dhe është dënuar nga gjykata me 12 vjet burg.

Njoftimi i plotë i prokurorisë

Një hetim i Prokurorisë së Beratit, për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, ka arritur të zbulojë autorin, i cili u shpall fajtor dhe dënua në fundjavë nga gjykata me 12 vjet burgim.

Prokuroria ka arritur të provojë se shtetasi Bashkim None, në 15 Prill 1997, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Hasan Shallari, i cili në atë kohë ishte 21 vjeç, si edhe ka plagosur shtetasit Altin Zhuri dhe Jaçe Hajdari.

Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor shtetasi None ka ndodhur në lagjen “11 Janari” në Kuçovë, ku shtetasi Bashkim None dhe Festim Jashallari (vdekur në vitin 1999) ndalonin çdo makinë që kalonte pranë një lokali ku qëndronin këta dy shtetas dhe i kërkonin para për të vijuar rrugën nga Berati drejt Kuçovës.

Viktima Shallari, si edhe të plagosurit Zhuri dhe Hajdari, pasditen e datës 15 prill 1997 kalonin me furgon në këtë rrugë dhe nuk i ndaluan dy personave që kërkonin pagesën për vijimin e rrugëtimit. Fakti që furgoni nuk është ndaluar, ka nxitur dy autorët, None dhe Jashallari që të qëllonin me armë zjarri në drejtim të furgonit. Për pasojë, nga goditjet me armë, erdhën pasojat me një të vdekur dhe dy të plagosur.

Hetimi për këtë çështje ka pasur vështirësi specifike, pasi në kohën kur ka ndodhur ngjarja, ka qenë shumë e vështirë dokumentimi dhe identifikimi i autorëve. Pas rikthimit në funksion të institucioneve shtetërore, të cilat pezulluan veprimtarinë pas ngjarjeve të vitit 1997, prokuroria e Kuçovës në atë kohë filloi hetimet edhe për këtë ngjarje. Më 19.04.1999, hetimi është pezulluar për mosnjohje të autorëve. Po ashtu, hetimi është rifilluar në datë 30.01.2003  dhe është pezulluar më datë 18.12.2003. Më date 13.03.2012 ka rifilluar hetimi. Janë pyetur familjarët, janë kryer zhvarrimet e viktimave, ekspertimet-mjekoligjor të kufomave, ekspertimet balistike etj, Autor i kësaj vepre penale rezultoi shtetasi Bashkim Nonë. Më datë 21.01.2014, Prokuroria Berat nxjorri urdhër-ndalimi për shtetasin Bashkim Nonë. Më datë 26.05.2014 është dërguar për gjykim ky procedim penal me të pandehur Bashkim Nonë për veprën penale të “Vrasjes me dashje” parashikuar nga neni 76 i K.Penal dhe “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë parashikuar nga neni 76 dhe 22 i Kodit Penal. Proçesi i gjykimit u zhvillua me gjykim të zakonshëm. Procesi ka qenë shumë i vështirë për arsye se i dëmtuari Altin Zhuri nuk dëshmoi të vërtetën; dhe po kështu familjarët e viktimës Hasan Shallari ndryshuan pjesërisht dëshminë, me atë çka kishin deklaruar më përpara në polici. Por, pavarësisht kësaj, nga ana e Prokurorisë së Beratit ishin siguruar prova të tjera, të cilat provonin autorësinë e shtetasit None.

Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria kërkoi që për vrasjen e shtetasit Hasan Shallari të dënohej me 18 vjet burgim, ndërsa për vrasje në tentativë të shtetasve Zhuri dhe Hajdari të dënohej me 12 vjet burgim. Në bashkim të dënimeve, Prokuroria kërkoi dënimin maksimal e ligjit të kohës, me 25 vjet burgim. 

Më datë 12.03.2015 gjykata vendosi ta deklaroj të pandehurin Bashkim Nonë fajtor dhe e dënoi për vrasjen në tentativë 11 vjet, për vrasjen 12 vjet dhe në bashkim të dënimeve, me përthithje, përfundimisht 12 vjet burgim.

Pavarësisht se masa e dënimit pritet të apelohet, Prokuroria e Beratit e konsideron një arritje të rëndësishme faktin e zbulimit të autorit të kësaj ngjarje, referuar kushteve në të cilat ishin institucionet shtetërore në vitin 1997.

SHKARKO APP