Zbardhet zhdukja e Theodhorit dhe Sulovarit, autorët po përgatisnin një atentat me 21 kg tritol

Hetimet e ndjekura për zhdukjen e Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit në Sarandë, çuan në parandalimin e një ngjarje kriminale në Fier, për të cilën ishin përgatitur mbi 21 kilogramë lëndë plasëse e montuar për shpërthim në distancë. Albi Mëcini ra në pranga, teksa po lëvizte në aksin rrugor Mbrostar-Fier.

Policia e Fierit dhe ajo e Vlorës ranë në gjurmët e planit për atentat teksa po e hetonin Albi Mëcinin si një prej pjesëmarrësve në rrëmbimin dhe zhdukjen e Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit në qytetin e Sarandës në prill të këtij viti.

Në këtë krim ai dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin Sebastjan Lataj, 25 vjeç. Për të dy, gjykata e Sarandës ka nxjerrë masa sigurie, për shtetasin për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Operacioni policor është në vijim dhe pritet që policia të japë detaje të tjera në lidhje me mënyrën se si u zhdukën dy personat në Sarandë dhe shkaqet e ngjarjes. Hetimet janë përqendruar edhe në gjetjen e trupave të dy të zhdukurve.

SHKARKO APP