Zbulohet njeriu me biçikletë që i vuri tritolin Tahirit

Njeriu me biçikletë që i vuri eksplozivin farmacisë së babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, sipas policisë është Baftjar Bruka. Ai është shpallur në kërkim nga Prokuroria për Krimet e Rënda, së bashku me Vladimir Gjutën. Burime të policisë thanë se është provuar që personi që shfaqet në videon e marrë nga kamerat e sigurisë së një biznesi pranë farmacisë së Bashkim Tahirit është Bruka. Prokuroria për Krimet e Rënda dha një ditë më parë detaje për hetimet, të arrestuarit dhe të shpallur në kërkim për këtë çështje.

 

Të arrestuar janë:

 

Lumjan (Emiljano) Matmuja, dtl. 1988, (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)

Ernest Gjuta, dtl. 1991 (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)

Kamber Bruka, dtl.1984, (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)

Erjon Dule, dtl.1982, (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)

Ndësa Emirjon Gjuta, i lindur në vitin 1991, gjendej deri ditën e mërkurë nën masën e sigurisë “arrest me burg” me afat, i dyshuar fillimisht për veprën penale të “veprimeve që pengojnë hetimin”. Karta e telefonit celular të përdorur në minën që hodhi në erë farmacinë e Tahirit ishte në emër të tij. Ai ka pranuar ta ketë shitur atë bashkë me celularin, por ka thënë para hetuesve se nuk e mban mend blerësin.

Të shpallur në kërkim janë Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka.

Pavarësisht këtij informacioni, Prokuroria për Krimet e Rënda nuk e ka bërë të ditur motivin e vënies së tritolit.

ABC News solli dje detaje që të një konflikti të gjatë mes familjes Gjuta dhe Saimir Tahirit.

Mësohet se fillimisht, përplasja e para e policisë pas ndryshimit të qeverisë ka ndodhur në prill të vitit 2014, kur ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ankohet pranë presidentit për ndryshimin e masës së sigurisë për Vladimir Gjutën dhe nipin e tij, tashmë të shpallur në kërkim, Baftjar Brukën.

Në atë kohë ata kanë qenë të dyshuar për tentativë vrasje të disa personave në Kukës. Përplasja e dytë me policinë mësohet se ka ndodhur në qershor të vitit 2014, pas vrasjes së Artan Santos. Pronarët e lokalit “Vila Gjuta” në Tiranë kanë refuzuar t’i japin policisë kamerat e sigurisë për të identifikuar autorët e vrasjes. Në shtator të vitit 2014, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, në një aksion në zonën e ish- Bllokut ndaluan dhe arrestuan tre persona, që lëviznin me mjete të blinduara.

Të dy makinat u bllokuan dhe personat u shoqëruan në polici. Një prej tyre ishte Vladimir Gjuta, që më pas u lirua. Pas kësaj ngjarjeje, mësohet se policia tatimore ka zbritur në biznesin që ndodhet në Rrugën e Elbasanit, por pas kërcënimit ata janë larguar nga lokali. Më datën 6 dhjetor, në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, Vladimir Gjuta u arrestua pas një sherri me efektivët e policisë rrugore.

Gjuta dyshohet se ka kundërshtuar forcat e rendit dhe u arrestua pak metra më tej. Po atë ditë efektivët e tatimeve kanë bërë edhe kontrollin e biznesin nën shoqërimin e forcave të mëdha të policisë.

Për këtë incident, ai u mbajt në qeli për rreth 20 ditë ku u lirua nga Gjykata e Tiranës me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Masë, e cila është ende në fuqi për ngjarjen e 6 dhjetorit. Gjithashtu mësohet se pas atentatit të dështuar ndaj Emiljano Shullazit në afërsi të Qafë Kasharit, efektivët e FNSH-së kanë bërë kontroll në bizneset dhe banesën e Vladimir Gjutës.

Policia ka ushtruar kontroll edhe ditën e atentatit të dështuar në Durrës ndaj Ardian Trotës, i cli mbeti vetëm i plagosur. Këto dhe shumë kontrolle të tjera të policisë ndaj familjes Gjuta, mendohet se kanë qenë shkak që pjesëtarët e kësaj familjeje të organizojnë vendosjen e eksplozivit në farmacinë e Bashkim Tahirit, si një mesazh për ministrin e Brendshëm.

SHKARKO APP