Zbulohet shënjestra e atentatit në Vlorë
Dalin detaje të reja nga përplasja me armë zjarri. Një atentat është shënuar në qytetin e Vlorës, ku një person ka mbetur i plagosur, krejt rastësisht, pa lidhje me ngjarjen, teksa pinte kafe në një lokal pranë përplasjes së armatosur. Shënjestër e atentatit dyshohet të ketë qenë Inez Hajrulla, që dyshohet të jetë një person me precedentë të mëparshëm penalë. Ai ka qenë në lokal në momentin kur ndodhi atentati. Ngjarja ka ngjallur panik edhe tek personat e ulur në lokal, të cilët në momentin e breshërisë janë ulur poshtë tavolinave dhe janë futur me shpejtësi brenda.
Autorët janë larguar me automjetet përkatëse dhe kanë marrë drejtimin mes rrugicave në blloqet e pallateve që ndodhen në zonë. Pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur një automjet në zonën e Babicës, në periferi të qytetit bregdetar, që dyshohet të jetë njëri grup të autorëve të atentatit. Makina është një ”Land Rover” i zi, që rezulton të jetë me targa të vjedhura ndërsa brenda saj u gjetën dy armë automatike.
Kujtojmë që si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ditën e sotme në Vlorë ka mbetur i plagosur Dajko Cenodemaj. ”Pamë një fuoristradë të vinte lart. Qëlloheshin nga të dy krahët dhe nga fuoristrada edhe ata që po vinin në këmbë qëllonin me armë. Të gjithë u futëm brenda. Dhe në atë moment pashë gjakun nga këmbët. Aty pashë që kisha marrë plumb”,-dëshmoi i plagosuri.
Policia është duke kryer kontrolle për kapjen e autorëve në kondrat e Babicës dhe të Bonavisë, ndërsa dyshohet të kenë qenë tre persona të përfshirë. Në shëtitoren mjaft të frekuentuar nga qytetarët e Vlorës, është përhapur panik, ndërsa mësohet se kanë qenë vetë banorët që kanë njoftuar të parët policinë e Vlorës pasi kanë dëgjuar të shtënat me armë. Bizneset në këtë zonë kryesisht janë të pajisur me kamera sigurie dhe pritet të shihet nëse në filmime do të jenë pikasur autorët e kësaj ngjarje.
Ines Hajrulla është një personazh i njohur për policinë dhe drejtësinë. Ky është atentati i dytë që i bëhet atij në harkun kohor të dy viteve. Në nëntor të 2017 mjeti me të cilin ai po udhëtonte u hodh në erë, e për pasojë Hajrulla mbeti i plagosur rëndë duke humbur një nga këmbët. Pas ekzaminimit të makinës së shpërthyer me 300 gr tirol, policia arriti të gjejë edhe një pistoletë të markës “Glock”, me 17 fishekë. Disa muaj më vonë, pas zhdukjes së Orges Troqes, Hajrulla do të shoqërohej sërish në polici. Më 18 korrik 2018, policia ka shkuar në banesën e shtetasit Ines Hajrulla, i gjetur me paterica dhe me një këmbë. I pyetur në lidhje me rrethanat e zhdukjes së Troqes, Ines ka shpjeguar për oficerët e policisë se më datë 17 korrik 2018, kur ndodhi rrëmbimi ka qenë duke bërë fizioterapi dhe nuk ka asnjë lidhje me rrëmbimin.

KOHA JONË SONDAZH

