Zbulohet shtëpi bari në Shkodër, në pranga pronari dhe 3 familjarë
Katër persona janë arrestuar nga policia e Shkodrës, pasi u kapën duke ushtruar veprimtarinë kriminale në fushën e narkotikëve.
Policia gjithashtu raporton se sekuestroi 140 kg kanabis sativa në trajtë boçesh, që u gjetën në një banesë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje të furnizuara me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, e ndodhur gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Z. Sh., në fshatin Naraç.
Gjithashtu, në një ambient në afërsi të banesës, shërbimet e policisë kanë gjetur pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me lëndën narkotike dhe 1 mjet zetor me rimorkio.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë pronari i banesës, Z. Sh., 61 vjeç, G. Sh., 38 vjeç (i biri i pronarit), D. Sh., 35 vjeç dhe D. Sh. 42 vjeç, vëllezër (nipat e Z. Sh.), të gjithë banues në fshatin Naraç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.