Zbulohet skema e grabitjes së bankomatit në Tiranë
Një makinë tip Mercedes është përdorur në grabitjen e bankomatit të një banke në orët e para të mëngjesit të së shtunës pranë spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, të sekuestruara tashmë nga Policia e Tiranës.
Dyshohet se kanë qenë 4 persona që kryen grabitjen e bankomatit, i cili nuk ishte i vendosur pranë një banke, por në një ndërtese më vete. Bankomati nuk ka pasur as kamera sigurie dhe as sinjal alarmi ç’ka iu ka lehtësuar punën grabitësve.
Fillimisht ata kanë hapur derën e jashtme të bankomatit dhe më pas kanë depërtuar në kasafortë, të cilën pasi e kanë çarë me bombol oksigjeni kanë marrë paratë që gjendeshin në të. I gjithë procesi dyshohet të ketë zgjatur 30 minuta.
Për t’ia mbathur grabitësit përdorën një automjet tip “Nissan”, i cili rezultoi të ishte vjedhur në Tiranë në zonën e Kombinatit disa ditë para grabitjes.
Disa minuta më vonë policia është njoftuar për grabitjen dhe është vënë në ndjekje të autorëve, të cilët me paratë e vjedhura po largoheshin në drejtim të Fushë-Krujës.
Por edhe pse ishin në ndjekje nga policia grabitësit arritën të braktisnin makinën “Nissan” në afërsi të Vorës dhe u larguan me makinën tjetër tip “Benz”, të cilën e kishin grabitur gjithashtu atë natë në zonën e Tiranës së Re.
Vetëm pak kilometra më tej ata braktisën dhe mjetin e dytë dhe humbën gjurmët në zonën e Rinasit.
4 ditë pas grabitjes policia ka si provë vetëm dy automjetet e vjedhura të përdorura nga grabitësit, por asnjë gjurmë të autorëve dhe parave.
Hetuesit pohojnë se kemi të bëjmë me profesionistë, pasi si në bankomat ashtu edhe në automjete nuk është gjetur asnjë gjurmë e vlefshme për identifikimin e tyre.
Madje pronari i makinës “Benz” gjatë kohës kur është kryer grabitja ende nuk kishte marrë vesh që automjeti i tij ishte vjedhur gjë për të cilën u njoftua nga policia mëngjesin e së dielës.
Për ngjarjen nuk ka asnjë të dyshuar, ndërsa banka nuk ka pranuar të tregojë shumën e parave të grabitura, por dyshohet se kemi të bëjmë me disa milionë lekë, dhe valute euro./News 24/

