Zbulohet vila 3-katëshe “me dritë të kuqe” në Elbasan, arrestohen 4 të reja
Policia e Elbasanit bën me dije finalizimin e operacionit të koduar “Streha”, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të ndjekur nga Policia e Elbasanit, në mbikëqyrjen e Prokurorisë së Elbasanit.
Zbulohet se në një objekt 3-katësh, në lagjen “Visarjon Xhuvani”, ushtrohej prostitucion dhe shiteshin lëndë narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.
Arrestohen në ambientet e objektit, 4 shtetase nga Kolumbia dhe Republika Domenikane, të përfshira në këto veprimtari kriminale.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim organizatori.
Sekuestrohen 0.5 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, 35.3 g lëndë narkotike Kokainë, shuma parash, armë sportive, celularë dhe sende të tjera që lidhen me dy veprimtaritë kriminale.
Specialistët e strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me specialistët e seksioneve për Hetimin e Trafiqeve dhe për Mbështetjen Operacionale, si rezultat i një hetimi intensiv, me metoda proaktive, të kryer në koordinim me Prokurorinë e Elbasanit, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të vënies së një objekti disakatësh, në lagjen “Visarjon Xhuvani”, në funksion të disa veprimtarive kriminale, finalizuan operacionin e koduar “Streha”.
Gjatë ndërhyrjes në objekt, u arrestuan në flagrancë shtetaset e huaja, B. M., 35 vjeçe, D. G., 27 vjeçe, L. M., 25 vjeçe dhe J. B., 33 vjeçe.
Nga hetimi rezultoi se ato ushtronin prostitucion në objektin 3-katësh, si dhe iu shitnin shtetasve që përfitonin nga kjo veprimtari kriminale, lëndë narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.
Gjithashtu, nga hetimi u identifikua organizatori i këtyre veprimtarive kriminale, shtetasi A. T., 56 vjeç, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit, Policia vijon intensivisht punën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
KOHA JONË SONDAZH

