Zemërimi popullor mposht rregullat e pandemisë, mijëra në sheshin “Nënë Tereza”

Koalicioni i PD-së dhe tjetri i PS hapën dje zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë LSI vazhdon takimet kokë me kokë me njerëzit.

Siç është traditë e gjithë fushatave, partitë kryesore zgjodhën qendrën e Tiranës për të startuar 30 ditët finale deri në momentin ku shqiptarët do të drejtohen në kutitë e votimit. Kjo fushatë është e pazakontë në shumë aspekte, por edhe më jo normale e bënë situata e pandemisë dhe detyrimi për të respektuar rregullat kundër koronaviursit. Megjithatë, dita e parë e fushatës tregoi qartë se në cilin krah qëndrojnë qytetarët. Mitingu i Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, nuk ishte thjesht një takim për çeljen e fushatës, por një manifestim kombëtar. Prania e madhe e qytetarëve, edhe pse PD nuk kishte asnjë angazhim për pjesëmarrje masive, flet shumë për frymën që ekziston në vend. Qytetarët, anëtarë të PD dhe partive aleate ose jo, pa asnjë urdhër, SMS apo qarkore politike kishin zgjedhur të ishin në shesh. Sigurisht vendi është në kohë pandemie dhe takime të tilla kanë risk të madh.

PD kishte organizuar qëndrimin në makina dhe gjithashtu vendosjen e disa zonave ku mund të qëndronin jo më shumë se 10 persona në një vend. Megjithatë, zemërimi popullor kundër kësaj qeverie bëri që qytetarët të sfidonin dhe pandeminë duke marrë pjesë në mënyrë masive në çeljen e fushatës së opozitës. Prania e madhe qytetare në tubimin e opozitës, duke respektuar rregullat aq sa munden në një situata të tillë, është paralajmërimi i uraganit popullor që do të shkojë drejt kutive të votimit më 25 prill. Është dëshmia e një revolte qytetare që prej vitesh zien kundër kësaj qeverie dhe që do të shpërthejë në një votë kundër Rilindjes. Në nisje të fushatës pjesëmarrja është vetëm një prej elementëve të saj.

Fjalimet e liderëve tregojnë situatën reale në dy kampet kryesore politike. Lulzim Basha dje mbajti një fjalim shprese dhe ndryshimi për vendin. Nuk sulmoi në mënyrë të ulët kundërshtarin, por foli për atë që do të bëjë ai dhe PD në pushtet. Ndërkohë ndryshe ishte situata në kampin e Rilindjes. Në sheshin e mitingut të PS ishte vetëm Edi Rama dhe qindra metra larg tij kandidatët që nuk dalloheshin si fytyra kush ishin, por vetëm si silueta. Kryeministri Edi Rama, si politikan që u kushton rëndësi më shumë se çdo gjë tjetër detajeve kishte matur me centimetra vendosjen e karrigeve dhe dritat që do ndizeshin kur ai të ngjitej në podium. Fjalimi i kreut të qeverisë, nuk ishte i ndryshëm nga fjalimet e zakonshme që mban çdo ditë. Ndryshimi i vetëm ishte se e tha hapur se nuk kërkonte mandatin e tretë, por një pushtet pa kufi deri në 2029 apo dhe shumë më tej. Nën monumentin e Skënderbeut dhe pa asnjë kandidat apo njeri tjetër afër, aludimi i Edi Ramës ishte i qartë. Nuk po kërkon vota për qeverisje apo për vendin, po kërkon mandat të përjetshëm duke sfiduar dhe Skënderbeun, që kamerat me regji të PS-së e bënin të dukej i vogël para staturës së Edi Ramës. Pjesa tjetër e fjalimit të kryeministrit ishte vetëm për pandeminë, mburrjet se vetëm ai siguroi 1 milionë vaksina kineze dhe sigurisht, sulme, sharje, fyerje dhe denigrime ndaj rivalëve politikë. Sulmi më i ri i Edi Ramës ishte se opozita, me mitingun në sheshin “Nënë Tereza” theu rregullat e pandemisë dhe mblodhi mijëra njerëz në shesh pa rregull. Duke e cilësuar si një shkelje të rëndë, Edi Rama i kushtoi plotë 30 minuta të fjalimit të tij, grumbullimin e njerëzve nga PD dhe aleatët. Ndërkohë vetë në fund i shkeli ligjet, duke qëndruar në shesh përtej orës policore 20:00. Pra, dhe akuzat për shkelje të pandemisë nga opozita ishin fallco dhe propagandë. Sapo u fik kamera dhe regjia e PS mbylli transmetimin, Edi Rama dhe kandidatët e tij shkelën hapur ligjin për të cilin betoheshin pak më parë.

Dje filloi numërimi mbrapsht për kryeministrin Rama.

Mili Xhani

SHKARKO APP