“Zëri i Amerikës”: Rama thoshte dikur se “edhe në burg të shkojë nesër Dako do jetë miku im”

Nga Zëri i Amerikës

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mësohet se ka lëshuar urdhër arresti ndaj ish kryebashkiakut socialist të Durrësit Vangjush Dako. Mësohet se përveç tij, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin dhe të 4 ish zyrtarëve të Drejtorisë së urbanistikës së Bashkisë së Durrësit, përfshirë ish Drejtorin Adhurim Qehajaj, si dhe pronarin e një kompanie ndërtimi, Fiqiri Farku dhe inxhinjeren e kompanisë. Arrest në shtëpi, është kërkuar për tre ish punonjëse të Bashkisë së Durrësit.

Dyshimet lidhen me një leje ndërtimi të dhënë në kohën kur zoti Dako drejtonte Bashkinë, për një pallat i cili është dëmtuar më pas nga tërmeti i vitit 2019 e po ashtu dhe për parregullsi për një tender. Nga Prokuroria e Posaçme ende nuk ka të dhëna për hetimin që ajo ka zhvilluar dhe përgjegjësitë konkrete të personave për të cilët janë lëshuar urdhërat e arrestit.

Zoti Dako është një emër i njohur dhe një nga figurat që ka shërbyer në nivelet e larta të Partisë socialiste, duke qenë dhe anëtar i kryesisë së saj. Në vitin 2019 ai u bë personi i tretë nga Shqipëria ndaj të cilit Departamenti amerikan i Shtetit vendosi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara, për të dhe familjen e tij pasi u konsiderua se ishte i përfshirë në korrupsion madhor. Pavarësisht kësaj, kryeministri Edi Rama nuk ndërmori asnjë hap publik për t’u distancuar prej tij.

Pak muaj pas vendimit të Departamentit të Shtetit, në emisionin Opinion në TV Klan ai deklaroi se Dako do të mbetej përherë miku i tij. “Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk e përcakton Departamenti i Shtetit kë kam mik. E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër do jetë miku im. Por me Vangjush Dakon nuk kam bërë kurrë, as më ka kërkuar as nuk i kam kërkuar, as nuk kemi bashkëpunuar as kemi kërkuar bashkëpunim të të tjerëve, asnjë shkelje të ligjeve të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi në atë kohë kryeministri Rama.

Emri i zotit Dako u shfaq dhe në disa përgjime të realizuara nga Prokuroria lidhur me zgjedhjet parlamentare të viti 2017, ku anëtarët e një grupi kriminal, të vëllezërve Avduli u përfshinë në blerje votash në favor të Partisë socialiste. Përgjimet treguan një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes tyre dhe zotit Dako, i cili drejtoi Bashkinë e Durrësit nga viti 2007 deri në vitin 2019.

SHKARKO APP