“Zëri i Amerikës”: Sulmi kibernetik, publikohen email-et e ish drejtorit të policisë, ndërhyn prokuroria

Nga “Zëri i Amerikës”-

Në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës ka vendosur ndalimin e çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, pasi ato hodhën në rrjet, në faqen “Homeland Justice”, shkëmbimet e postës elektronike të ish drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shqiptare Gledis Nano, të cilat u rimarën më pas nga mediat shqiptare. Njoftimin për urdhërin e prokurorisë e bëri të ditur drejtoria e Përgjithshme e policisë.

Më 9 shtator, sistemet informatike të policisë shqiptare u bënë objekt i një sulmi të dytë kibernetik, pas atij të muajit korrik. Autoritetet, bën përgjegjës sërish Iranin, dhe njoftuan se nga sulmi ishte goditur sistemi TIMS, i cili rregjistron hyrje daljet e personave dhe automjeteve nga Shqipëria. Por më pas u mësua se pjesë e goditjes kishin qenë dhe sisteme të tjera të policisë, e siç duket dhe shkëmbimet elektronike të drejtuesve të lartë të saj.

“Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit”, shpjegon njoftimi i policisë, duke saktësuar se “Prokuroria ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi”. Njoftimi paralajmëron se “në rast të shkeljes së këtij vendimi nga cilido, Njësia C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të nisë menjëherë hetimin, për vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës”.

Gjatë ditës së hënë, një seri emalesh të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nxorrën në pah shkëmbime informacionesh mbi persona të kërkuar, mbi atentate të mundshme ndaj politikanëve, si në rastin e ish drejtuesit të opozitës shqiptare Lulzim Basha, apo kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, si dhe komunikime të zotit Nano me partnerë të huaj, për çështje sensitive, të konsideruara sekrete.

Publikimi i tyre, tregoi se përkundrejt deklarimeve të autoriteteve, se të dhënat zyrtare nuk janë prekur, sulmi kibernetik duket se ka depërtuar në thellësi. Kryeministri Edi Rama deklaroi se “agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”.

Ndërkohë që në njoftimin e saj mbi vendimin e Prokurorisë, policia deklaroi se “publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare”.

SHKARKO APP