Zgjedhja e anëtarëve të rinj të KLP-së/ Kryeprokurori Çela: Prokuroria po kalon në një proces kompleks transformimi

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ne mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve u shpreh se do prokurorët do të vijojnë të jenë të palëkundur për drejtësinë.
Ai u shpreh se Prokuroria po kalon në një proces kompleks transformimi.

Mbledhja zhvillohet në kuadër të zgjedhjes së anëtarët e rinj të KLP-së.

Fjala e plotë:

“Mirëfunksionimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë përbën pa asnjë dyshim një nga elementët më të rëndësishëm të reformës në drejtësi. Garantimi i pavarësisë së prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre, sigurimi dhe mbrojtja e statusit, karriera e bazuar tek meritokracia, llogaridhënia përmes një procesi disiplinor transparent dhe objektiv, të marra së bashku, formojnë bazamentin që lejon funksionimin normal të prokurorisë si një nga komponentët kryesorë të sistemit të drejtësisë. Pikërisht për këtë rol thelbësor që këshilli luan, procesi i zgjedhjes së anëtarëve të tij ka rëndësi madhore.

Me hyrjen e tre anëtarëve të rinj në këtë këshill, ripërtërihet plotësisht përbërja e tij që nga momenti i krijimit në dhjetorin e vitit 2018. Në këto rrethana, e gjej me vend të falënderoj anëtarët e tij ende në detyrë si dhe ata të cilët e kanë përfunduar mandatin, për kontributin e dhënë në funksionimin e institucionit të prokurorisë, në kontekstin e ndryshimeve të thella kushtetuese e ligjore. Natyrisht që ka gjëra apo procese që mund të ishin bërë më mirë apo përfunduar më shpejt, por këshilli është një organ i ri dhe e ka ushtruar veprimtarinë në rrethana aspak të lehta për sistemin e drejtësisë në vend. Procesi i vetingut dhe vakancat e krijuara nuk e kanë bërë aspak të lehtë punën për askënd, ashtu si dhe zbatimi i një sërë ligjesh të reja që kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionon prokuroria, standardet që lidhen me karrierën dhe procesin disiplinor, natyrshëm do të ndeshej me probleme aspak të thjeshta.

E parë në këtë këndvështrim, mbetet sfidë për këshillin e ripërtërirë si konsolidimi i mëtejshëm i arritjeve të deritanishme, ashtu edhe përshpejtimi apo korrigjimi i proceseve që mund të mos kenë ecur si duhet. Veçoj këtu ecurinë e vlerësimit të prokurorëve. Vështirësitë objektive që po has këshilli dëshmojnë nevojën për një rishikim të rregullores përkatëse, por edhe për ndryshime të mundshme në ligj.
Marrëdhënia e këshillit me Prokurorin e Përgjithshëm duhet të vazhdojë të jetë prioritet. Respektimi i pozicionit kushtetues e ligjor të dy institucioneve, duke shmangur dualitetin në interpretimin e rolit të secilit brenda sistemit të prokurorisë dhe vënia e theksit tek ushtrimi i funksioneve në mënyrë komplementare në shërbim të institucionit, janë çështje themelore për mirëfunksionimin e organit. Prokurori i Përgjithshëm, i cili sipas ligjit është përgjegjës për punën e Prokurorisë së Përgjithshme e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe përfaqësues i tyre, do të vijojë të jetë kontribues pozitiv në këtë aspekt.

Prokuroria po kalon në një proces kompleks transformimi. Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve në vendimmarrje, si tipare të reja në organizimin e institucionit, shtrojnë përpara sfida të cilat nuk mund të zgjidhen përmes qëndrimeve inkoherente apo të pakoordinuara. Ndihet nevoja për një rritje të ndjenjës së përgjegjshmërisë nga ana e prokurorëve në veprimtarinë e përditshme në zyrat ku ushtrojnë funksionet. Në planin organizativ, prokuroria duhet të funksionojë si një e tërë, ndaj është e domosdoshme të gjendet ekuilibri mes respektimit të pavarësisë nga njëra anë, por edhe sigurimit të mekanizmave efikasë drejt arritjes së objektivave institucionalë nga ana tjetër. Kjo nuk mund të arrihet pa angazhimin serioz të prokurorëve dhe drejtuesve në secilën zyrë, ashtu si dhe pa një ndërveprim e koordinim mes këtyre të fundit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Theksoj se drejtuesit e zyrave kanë një rol kyç në sigurimin e kohezionit institucional, përmes një qëndrimi proaktiv që synon sinkronizimin e veprimtarisë në të gjitha nivelet. Pikërisht në këtë kuadër merr një rëndësi të veçantë si procesi displinor ashtu edhe ai i vlerësimit të prokurorëve, për të siguruar llogaridhënien dhe meritokracinë, si instrumenta në funksion të garantimit të performancës institucionale…”

SHKARKO APP