Zgjedhjet e 25 prillit, ODIHR letër Policisë së Shtetit: Falënderojmë 12 drejtoritë vendore për punën
Kreu i Delegacionit të ODIHR-it për monitorimin e zgjedhjeve të 25 prillit, Urszula Gacek, i ka dërguar një letër falënderimi Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Letra është për mbështetjen, bashkëpunimin dhe reagimin e menjëhershëm të strukturave të Policisë gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu në letër, theksohet mirënjohja për 12 drejtoritë vendore të Policisë për punën.
“Në lidhje me veprimtaritë e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it gjatë periudhës 17 mars-6 maj 2021, dua të shpreh mirënjohjen tonë ndaj Policisë së Shtetit për përkrahjen e dhënë, çka i mundësoi Misionit tonë të operojë me lehtësi. Gjithashtu falënderoj në mënyrë të veçantë 12 drejtoritë vendore të policisë në qarqet e Shqipërisë, për bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe reagimin e menjëhershëm ndaj nevojave të Misionit”, thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar Drejtor Veliut.