Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut/VMRO-DPMNE shpall fitoren e parlamentit dhe presidencës

Në Maqedoninë e Veriut në orën 7 të mbrëmjes u mbyllën kutitë e votimit për zgedhjet parlamentare dhe balotazhin për presidentin e vendit. VMRO-DPMNE-ja e spektrit të djathtë duket të ketë arritur një fitore të thellë, ashtu siç parashikohej.

Partia VMRO-DPMNE thotë se ka siguruar 58 nga 120 vendet që ka parlamenti, por kjo nuk mund të konfirmohet nga autoritetet përkatëse dhe as nga partitë tjera pjesëmarrëse në zgjedhje. VMRO-ja po ashtu ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale, me kandidaten e saj Gordana Siljanovska Davkova, për të cilën eksponentë partiakë thonë se mori 67 për qind të votavave.

Në kampin politik shqiptar, të dy koalicionet rivale kanë shpallur fitoren e tyre. Bashkimi Demokratik për Integrim me koalicionin Fronti Evropian thotë se është fitues absolut i zgjedhjeve, por pa saktësuar ende numrin e votave ose të vendeve në parlament.

Ndërkaq, koalicioni VLEN, që po ashtu ka deklaruar fitoren absolute, e vlerëson procesin e votimit si jodemokratik, me parregullsi e blerje votash, teksa kërcënon se “do të ketë përgjegjësi për dhunimin e votës”, siç u shpreh Izet Mexhiti i këtij koalicioni në një konferencë shtypi pas mbylljes së qendrave të votimit.

VMRO-DPMNE-ja thotë se dështuan skenaret e pushtetit për bojkotin e zgedhjeve presidenciale, për çka e akuzon sidomos BDI-në, të ardhmen e së cilës e shikon në opozitë. Megjithëse rezultatet ende nuk janë shpallur zyrtarisht, duket se humbëse e madhe në këto zgjedhje është Lidhja Social Demokrate. Sipas disa parashikimeve, ajo mund të ketë siguruar midis 24 dhe 26 vendeve në parlament.

Zgjedhjet e 8 majit shikohen si një sprovë për të ardhmen dhe rrugën e këtij vendi drejt Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në vendbanimet e banuara me shumicë shqiptare është vërejtur një interesim pothuaj dyfish më i ulët për balotazhin në krahasim me zgjedhjet parlaentare.

Por, Komisioni Shtetëror i Zgjedheve (KSHZ) bën të ditur se është arritur pragu i nevojshëm prej 40% i pjesmarrjes në votime, që zgjedhjet presidenciale të quhen të vlefshme. Mbi 46 për qind është përfaqësimi në balotazh, teksa për zgjedhjet parlamentare është mbi 53 për qind. Këto të dhëna nuk janë përfindimtare sepse nuk janë përpunuar në tërësi dhe ato mund të ndryshojnë me 2-3 për qind, sipas KSHZ-së.

Rivalët politikë shqiptarë, të Frontit Evropian dhe VLEN-it janë përplasur gjatë fushatës për atë se kush do të duhej të bëhet pjesë e qeverisë së re. VLEN ka marrë ftesë publike nga VMRO-DPMNE-ja për t’iu bashkuar kabinetit të pritshëm qeveritar, ndërkohë që BDI-ja dhe Fronti Evropian pretendojnë që fituesi tek ‘blloku shqiptar’ duhet të përfaqësojë vullnetin e shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv. Mirëpo, BDI-ja e shkeli parimin ‘fituesi me fituesin’ në zgjedhjet e 2017-s kur hyri në koalicionin qeveritar me LSDM-në, ndonëse VMRO-ja kishte fituar zgjedhjet.

Procesi zgjedhor u ndoq me interes nga vëzhgues të huaj dhe qindra vëzhgues të tjerë vendas.

“Kemi më tepër se 300 vëzhgues të shpërndarë në të gjithë vendin, një prani e rëndëishme kjo. Jemi të shoqëruar nga partnerët tanë parlamentarë”, tha shefja e Misionit të ODIHR-it, Jillian Stirk. ODIHR-i dhe vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe të Parlamentit Evropian do të bëjnë të enjten një deklaratë paraprake lidhur me procesin e zgjedhjeve të 8 majit.

Organet e rendit njoftuan për incidente të vogla nëpër disa komuna si ngjitje e pankartave dhe shpërndaje e fletëpalosjeve apo agjitim në Tetovë, Shkup, Kumanovë dhe në disa vendbanime të tjera./VOA/

SHKARKO APP