Zgjedhjet në universitete, Presidenti Meta: Vetëm sipas parimeve kushtetuese dhe të garantojnë pavarësinë e arsimit të lartë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e zgjedhjeve në universitete gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit.

Në një deklaratë për mediat, Presidenca shprehet se ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me parimet kushtetuese. “Lidhur me situatën e zgjedhjeve në universitet publike, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, thekson se ky është një proces tejet i rëndësishëm për të rinovuar autoritetet e reja dhe organet drejtuese të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri. Ky proces i ri zgjedhor duhet të mishërojë parimet kushtetuese, të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore dhe të jetë transparent e gjithëpërfshirës”,– thuhet në reagimin e kreut të shtetit.

Kreu i shtetit shprehet se “në kushtet specifike në të cilat ndodhemi, është shumë i rëndësishëm  angazhimi dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve dhe institucioneve që kanë përgjegjësi në këtë proces. Është detyrë e tyre të harmonizojnë të gjitha veprimet dhe aktet rregullatorë, në mënyrë që ky proces i ri zgjedhor të garantojë pavarësinë, autonominë, konkurrencën e lirë, transparencën dhe integritetin për të arritur një rezultat të gjithëpranuar dhe për të përmbushur objektivat e Arsimit të Lartë në Shqipëri”.

SHKARKO APP