Zgjedhjet presidenciale. Përse sytë nga Amerika?
Nga Marjana Doda/Bota duket sikur është njëpolare. I gjithë opinioni publik dhe mediat botërore po ndjekin me vëmendje zgjedhjet presidenciale në SHBA. Sigurisht, Amerika, pse jo dhe e gjithë bota, po ndodhen përballë sfidave të mëdha.
Po përse sytë nga Amerika? Bëhet fjalë për shtetin më të fuqishëm në botë, shtetin, i cili për mëse një shekull mbetet faktori më i rëndësishëm gjeopolitik dhe me ndikim në politikën globale. Pas zbulimit nga Kristofor Kolombi në vitin 1492, Amerika bëhet “tokë e premtuar” ku u vendosën kaloni të ndryshme si, spanjolle, portugeze, angleze etj., ndërsa fiton pavarësinë e themeluar nga 13 kaloni angleze, më 4 korrik 1776 dhe me President të parë Xhorxh Uashington më 1789.
Në fillim të shekullit të kaluar, në prag të Luftës Parë Botërore, SHBA fillon e del nga politika izolacioniste dhe përballet me probleme e zhvillime ndërkombëtare. Pasi u zgjodh President, më 5 nëntor 1912, Udrou Uillson para një grupi studentësh tha: “Nuk ndihem i lumtur, as në qiellin e shtatë, por shumë i pikëlluar. Më duket sikur një sërë detyrimesh dhe përgjegjësish po me kërrusin. Kam shumë nevojë të ulem dhe ti lutem Perëndisë që të më jap forcën që kam nevojë për të përmbush atë që pritet prej meje”. Dhe Uillsoni ja doli këtij obligimi, duke u zgjedhur dy here president. Amerika u bë faktor i rëndësishëm me pjesëmarrjen në Luftën e Parë dhe se ai ishte arkitekti i organizimit të Konferencës së Paqes në Paris më 1919 për vendosjen e paqes dhe të një rendi të ri botëror. Është krijuesi i Lidhjes Kombeve (sot OKB), organizëm që ka luajtur dhe luan rol të rëndësishëm në vendosjen e ekuilibrave botërorë.
Sërish kur bota u përfshi në flakët e Luftës Dytë Botërore, në vitet 1939-1945, Amerika do të udhëhiqte aleatët për ti dhënë fund kësaj lufte me një kontribut tejet të rëndësishëm dhe të BRSS dhe Anglisë (Ruszvelt- Çërçill-Stalin), të cilët morën vendime të rëndësishme gjeopolitike, deri në nënshtrimin e kapitullimit të Gjermanisë, më 9 Maj 1945 në Berlin.
Por nuk do të zgjaste shumë dhe “miqtë” do të bëheshin armiq, dhe pikërisht aty ku nënshkruan fitoren e luftës së “nxehtë”, në mes të Berlinit, pak vite më vonë, më 1961 do ndërtonin murin e Luftës Ftohtë. SHBA-të dhe vendet perëndimore nga njëra anë që krijuan bllokun ushtarak të Aleancës Atlantikut Veriut (NATO) më 1949, dhe Traktatit të Varshavës më 1955, kryesisht nga BRSS nga ana tjetër.
Fundi i Luftës Dytë Botërore nxori në pah rolin e një rendi të ri botëror (përveçse komunizmit), i cili u konsiderua si rendi amerikan me ndikim në sistemin ndërkombëtar, që erdhi veç të tjerave dhe si rezultat i sistemin kapitalist, të formës demokratike të qeverisjes, të një vendi ku bashkëjetojnë komunitete nga të gjitha kombet dhe kombësitë, ku lulëzojnë të gjitha fetë dhe liritë, vendi i kulturës botërore, por dhe vendi i një fuqie të madhe ushtarake. Në SHBA ushtrojnë aktivitet të drejtpërdrejtë shumë institucione ndërkombëtare, ndaj aty kuptohet nëse bota do përballet ose jo me kriza dhe luftëra. Është vendi me ekonominë më të madhe në botë me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 15 trilion dollarë.
Në SHBA kanë selitë e tyre institucionet më të rëndësishme financiare botërore,si Banka Botërore (BB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Aty ndodhen bursat më të rëndësishme, si ajo e Nju Jorkut, etj. Pra në Amerikë kalojnë arteriet financiare dhe aty duket nëse do fillojnë ose jo dallgët e krizave. SHBA është dhe vendi më i fuqishëm ushtarakisht, pasi rreth 50% e shpenzime ushtarake në botë i përkasin buxhetit të këtij vendi.
Viti 2016 ka paralajmëruar se jemi para një kaosi botëror. Tashmë duket sikur gjithë bota është në gjendje makthi, ashtu si një shekull më parë. Pas krizave financiare dhe vendesh në konflikt, pika të nxehta të globit duket sikur mund të shpërthejnë frikshëm, aq sa po përflitet deri tek retë e zeza të Luftës Tretë Botërore, që larg qoftë, nëse shpërthejnë do të jetë më shkatërrimtarja në historinë e njerëzimit. Po “vringëllijnë” armët deri në më shfarosëse, ato bërthamore. Koreja e Veriut çdo ditë e më shumë kërcënon me prodhimin e armëve të tilla dhe se paqen në Gadishullin Korean ia lë në duart e SHBA, që ajo ti japë fund kërcënimeve bërthamore dhe politikës armiqësore, ndërsa zyrtarët e Phenihanit mendojnë se paqja mund të arrihet vetëm me marrëveshjen mes dy vendeve. Jo vetëm kaq por pika të nxehta ka dhe në ishuj e vende tjera të Azisë e Paqësorit, përfshi dhe Kinën.
Një tjetër pikë e nxehtë bërthamore është Irani ku dhe zyrtarët e këtij vendi fajësojnë SHBA për qëndrim armiqësor e sanksioneve kundra vendit të tyre. Lindja e Mesme, Siria, Iraku, Libia, Afganistani, dhe pjella më e keqe në këto vende, terrorizmi po mbeten krater i vazhdueshëm i luftërave që për gjithçka i dihet vetëm fillimi, ndërsa fundi nuk i dihet.
Në kufijtë e Lindjes, si në Poloni, Ukraine etj., duket sikur është ngritur sërish perdja e Hekurt mes Rusisë dhe Perëndimit që po kërcënojnë hapur njëra -tjetrën me të gjithë arsenalin e armëve.
Flirtimi i vendeve të NATO-s të pellgut Mesdheut, Turqisë dhe Greqisë me Rusinë, e ka bërë Aleancën të ndihet jo mirë. Ballkani ende mbetet i brishtë. Problemet nacionale, luftërat në ish-Jugosllavi, Republika serbe në Bosnje, Maqedonia dhe Veriu i Kosovës mund të shërbejnë në çdo kohë si shkaqe për konflikte rajonale.
Kjo është tabloja e një bote në kaos të mbarsur me kaq shumë probleme, ndërsa në ringun e zgjedhjeve presidenciale në SHBA po ndeshen një burrë dhe një grua, Donald Trump dhe Hillary Clinton. Po ndeshen një burrë që fyen gratë dhe një grua që merr kurajën të drejtojë shtetin me të fuqishëm në botë, për herë të parë kjo në historinë e Amerikës. Po ndeshen një kontravers, ndaj një logjike të qetë e të qartë, një izolacionist me një femër që synon të vendos paqen.
Tek vështron ringun dhe një grua që kërkon sfidë dhe do të përballet me probleme të vështira si të një shekulli më parë, bën të kujtosh fjalët e Uillsonit që dhe ajo “ti lutet Perëndisë që t’i japë forcë” për të përmbush misionin e saj. Ndonëse gjithë bota sytë i ka nga Amerika, zgjedhja do të jetë e vetë amerikanëve, që jo më shumë për problemet e brendshme që kanë, që gjithsesi mendojnë se janë të kënaqur (me një papunësi prej 4.9%), se sa tek çështja e sigurisë tyre dhe politika e jashtme e SHBA.
Gjatë gjithë këtyre muajve në fushatën dhe debatet televizive (ku në avantazh është Clinton), duket qartazi se cilët janë dhe me çfarë problemesh do përballen kandidatët për president. Trump nuk ka njohuri në politikën e jashtme dhe në fushën ushtarake, krahasuar me avantazhe që ka rivalja e tij si ish sekretare Shteti dhe bashkëshortja e ish-Presidentit të suksesshëm Bill Clinton. Ky i fundit në Konventën Kombëtare të Demokratëve, më 26 korrik në Filadelfia inkurajoji zgjedhësit duke thënë se: “Hillary do na bëjë ne më të fuqishëm bashkë. Arsyeja pse duhet të zgjidhet ajo, është se në shtetin më të mirë të Tokës, ne jemi kujdesur për të nesërmen”.
Trump ka një platformë ksenofobie, islamofobie, antilatino-amerikan,diskriminon emigrantët, ndërkohë që, në SHBA ka rreth 11 milionë të tillë ilegalë, ndërsa rivalja e tij në fushatë përcjell mesazhe njerëzore dhe se nuk do të ndajë familjet e tyre, porse premton të sigurojë më mirë kufijtë e Amerikës.
Kandidatët për president kanë pikëpamje të kundërta për politikën e jashtme, ku në fokus janë vende dhe ngjarje të rëndësishme. Çështja më e rëndësishme lidhet në marrëdhëniet me Rusinë. Trump deklaron se rivalja e tij nuk mund të përballet me Putin, ndërsa ai vetë do të bashkëpunonte me të për të zgjidhur problemet. Kandidatja demokrate akuzon rusët për sulme kibernetike, ndërsa Putin shprehet se vendi i tij nuk është përfshirë në fushatën presidenciale.
Debatet e hapura të kandidatëve, veç të tjerave dhe për problemet e vendeve të Lindjes Mesme, nuk mund të përputhen me mentalitetin oriental të liderëve të tyre. Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani do shprehej me 23 tetor në lidhje me Amerikën dhe garën e dy presidenteve se: “Në atë vend nuk ka moral”,- që sipas tij paraqitja tallëse në debate televizive tregojnë mungesën e moralit dhe për dy kandidatët është shprehur se është: “Sikur të zgjedhjesh mes të keqes dhe më të keqes”, pra, i paragjykon ende pa u zgjedhur. Ajo çfarë përbën interes për zgjedhjet në SHBA është dhe politika që do ndiqet në drejtim të Ballkanit, ku ekspertët mendojnë se Clinton do jete më prezente me politikat e saj, kjo dhe si rezultat i kontributit të bashkëshortit të saj në luftërat në ish Jugosllavë dhe ndërhyja në Kosovë, ndërsa Trump e shohin si rrezik, pasi ai shpreh simpati për politikat e Putin dhe mendohet se rajoni mund t’i rikthehet konfliktit Lindje- Perëndim. Ultra nacionalisti i Partisë Radikale Serbe Vojislav Sheshel shprehet se, “Donald Trump është mik i serbëve dhe ne e mbështesim për president të SHBA”, ndërsa shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë (por dhe boshnjakë e kroatë), mbështesin Clinton dhe kjo lidhet me shumë si rezultat ndërhyrjes ushtarake të periudhës presidenciale të Bill Clinton në luftën në ish Jugosllavi. Kjo simpati e shqiptarëve për Hillary Clinton kapërceu kufijtë diplomatik dhe politik në intervistën e 16 prillit 2016 në CNN të kryeministrit Edi Rama, pyetjes nëse do zgjidhet Trump president, ai i përgjigjet: “Larg qoftë, besoj se do dëmtonte shume SHBA dhe do dëmtonte shumë botën demokratike”. A do ndikojë kjo deklaratë në marrëdhëniet mes dy vendeve nëse Trump fiton? Si individ ndoshta po, ndërsa si vend jo, pasi nuk mund të konfondohen qëndrimet personale me strategjinë e zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Përtej nesh, sërish mendojnë se kujt shekulli do t’i përkasim, shekullit të luftërave apo të paqes, të një rendi të ri botëror sërish me Amerikën, apo të ndarë në blloqe, të një stabiliteti apo kaosi botëror. Gjithçka do varet se kush dhe si do ta formojë e drejtojë Shtëpinë e Bardhë, pas datës 8 Nëntor. Ndaj sytë janë kthyer nga Amerika dhe presidenti i ardhshëm i saj.
KOHA JONË SONDAZH

