Zgjedhjet, prokurorët ”zyrë” në KQZ

Drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsion Çela dhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ranë dakord që në ambinet e KQZ të krijohet një zyrë për monitorimin e procesit zgjedhor deri në daljen e rezultatit. KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan një protokoll bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve sipas së cilit, në ambientet e KQZ do të shkojnë edhe grupe hetimore për të monitoruar zgjedhjet e 11 majit.
”U dakordësuan sëbashku për të ndërtuar një protokoll të koordinimit. Nuk e shikojmë të nevojshme dhe nga pikëpamja ligjore, por thjesht të ndërtojmë një protokoll të komunikimit dhe bashkëpunimit të dy institucioneve për të adresuar sa mund të adresojmë problematikat e procesit zgjedhor”, tha Celibashi.
Besimi në proceset zgjedhore vijon të jetë i brishtë nga opozita, e cila i ka kërkuar Olsian Çelës një task forcë të posaçme. Organi i akuzës sheh si më të përshtatshme vijimin e nënshkrimit të bashkëpunimeve ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
”Ajo që kërkojmë dhe përpiqemi të bëjmë është të realizojmë veprimin ndër-institucional, ndërtimin e mekanizmave të cilët maksimizojnë kapacitet tona njerëzore teknike për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave që paraqet procesit elektoral, ku janë padiskutim edhe hetimi i krimeve zgjedhore dhe përgjigja në kohë reale e prokurorisë ndaj çdo sinjalizimi për shkelje që ka të bëj në procesin elektoral”, tha Çela. Për zgjedhjet e 11 majit është angazhuar edhe SPAK, ku me urdhër të Dumanit ka ngritur një njësi të posaçme për hetimin e denoncimeve për krime zgjedhore.