Zgjerimi 12 milje, Dule: Është nënshkruar një marrëveshje, vendimi i Kushtetueses kundër interesave të Shqipërisë
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule për Ora News ka folur në lidhje me marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi.
Sipas Dules marrëveshja është firmosur mes vendeve të Kombeve të Bashkuara që në vitin 1992, ndërkohë që ka shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar këtë marrëveshje është kundër interesave të Shqipërisë.
Dule: Shqipëria, Greqia dhe shumica dërrmuese e vendeve të Kombeve të Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje në 1992. Që pas nënshkrimit, ratikifikim nga një numër vendesh që kërkohej u shndërrua në një marrëveshje të domosdoshme në 1996. Fryma e asaj marrëveshje thotë se vendet që ndajnë dete të përbashkëta, negociojnë midis tyre për ndarjen e hapësirave që u takojnë atyre, si për shelfin kontinental, ashtu edhe për zonat ekonomike.
Në 2009 qeveria e Republikës së Shqipërisë me qeverinë greke, në kuadër të një negocimi arritën në një konkluzion në marrëveshjen e vitit 2009, e cila pas nënshkrimit futet në Parlament, kalon në një komision parlamentar, miratohet, shpërndahet Parlamenti për shkak të zhvillimi të zgjedhjeve të qershorit të 2009, nuk ka asnjë reagim nga politika me përjashtim të zërave të izoluara kundër asaj dhe politika, konkretisht Rama kujtohet që të merret me këtë marrëveshje dhe të pozicionohet kundër saj pasi ka humbur zgjedhjet dhe ka filluar kontestimi masiv në radhët e PS. E çon në Gjykatë Kushtetuese që merr vendimin, që për mua është katërçipërisht kundër interesave të Shqipërisë për ta rrëzuar atë marrëveshje që ishte e mbështetur në frymën dhe germën e konventës që është e pranuar edhe nga Shqipëri edhe nga Greqia.
Vijmë nga 2010 deri në 2020 dhe ende nuk kemi asnjë marrëveshje. Kjo situatë nuk i intereson as Shqipërisë dhe as Greqisë, sepse ndarja e zonave ekskluzive ekonomike dhe e shelfit kontinental ka të bëjë me shfrytëzimin ujor dhe nënujor. Kur nuk e di se cila pjesë i takon kujt, nuk mund t’i shfrytëzosh. Është edhe rregull i kompanive në kërkim të naftës dhe të gazit që nuk mund të kërkojnë në këto zona.