Zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm në Shkozë
Bashkia e Tiranës i jep zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e Shkozës, të cilët prej më shumë se 20 vitesh vuanin nga mungesa e ujit dhe detyroheshin të furnizoheshin me bote.
Me investimin e ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime Tiranë në këtë zonë bëhet e mundur që 1500 banorë të Njësisë Administrative nr. 1 të furnizohen me ujë nëpërmjet rrjetit të ri.
Gjatë inspektimit të punimeve për zgjidhjen e problematikës së krijuar prej vitesh në këtë zonë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se po investohet në çdo cep të qytetit.
Veliaj shtoi se, “nëse çmimin e ujit publik krahasohet me ujin që shitet me bote, qytetarëve u bie më lirë të jenë në rregull me shtetin se sa ta blejnë ujin me bote apo duke ndërhyrë në mënyra të paligjshme në rrjet, çka mund të të çojë edhe përpara drejtësisë. “Por, sigurisht që nuk ke të njëjtën cilësi nëse ujin e merr me bote, madje është edhe jetike, sepse duke vjedhur ujin nga rrjeti i bën dëm fqinjit tënd, kushëririt tënd, familjarit tënd disa metra më tutje”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës paralajmëron nisjen e një sërë investimesh në ujësjellës-kanalizime që do të përmirësojnë furnizimin me ujë të qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, tha se më në fund i jepet zgjidhje problemeve të krijuara me furnizimin me ujë në rrugën ”Spahiu” në zonën e Shkozës, të cilët furnizoheshin deri tani me bote dhe puse. Sakaq, UKT dhe Bashkia e Tiranës ka nisur një aksion për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi përdorimin e ujit të pijshëm dhe ka ndërhyrë në disa subjekte private si lavazhe apo ferma që e keqpërdorin këtë mall.

KOHA JONË SONDAZH

