Zhdukja e vajzës, letra: S’ma merrte mendja që do ta bënte Partia
Nadire Tafani, nëna e Hatlijes, vajzës së zhdukur pa lënë gjurmë, në maj të vitit ’45, ka bërë të pamundurën të mësojë të vërtetën për vajzën e saj.
Ajo i ka shkruar nje leter edhe Liri Belishoves ku i tregon zhdukjen e vajzes.
LETRA PËR LIRI BELISHOVËN
Anëtares së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH
Shoqes Liri Belishova, Jam Nadire Tafani, banuse në ish-rrugën e Barrikadave, tash rruga “Siri Kodra”, nr.69 U mbushën 14 vite që vajza ime Hatlije vdiq, si me thënë nëpër lot, në burgjet e sigurimit. Se për cilën arsye e arrestuan dhe se në cilat rrethana vdiq, zyrtarisht, edhe pse jam interesuar pranë degës së Punëve të Brendshme në vitet ’45-’46, nuk më është thënë kurrë gjë.
Vetëm nga qëndrimi i paarsyeshëm që mbahet karshi punës e sakrificave tona në të kaluarën, unë nënkuptoj se pa asnjë bazë Partia dhe Pushteti na ka futur në listën e elementëve armiq e të prekun. Sikurse e dini unë, Hatlija dhe Ramazani punuam natë e ditë në zjarrin e armikut. Asnjëherë s’u trembëm e s’u zmbrapsëm për me ia arrit fitores mbi armiqtë.
Që prej majit 1945, njerëzit e lëvizjes më braktisën dhe kërrkush nuk më pyeti cili është halli jem. Meqenëse ngjarjet u rrokullisën ashtu, unë kam shumë të drejtë që t’ju kujtoj se ju dhe shoqet Nexhmije Hoxha, Fiqrete Shehu e shumë e shumë të tjerë punuat me mua dhe Hatlijen disa dhjetëra herë, dhe se në gjithë rastet ne treguam vendosmëri e besim të patundur te Partia dhe lëvizja.
Ne dimë mirë që shtëpia jonë gjatë luftës ishte një nga bazat më të sigurta të Partisë në Tiranë, meqenëse ju e dini mirë këtë, unë nuk po u marr kohë me të tilla gjana. Sikurse na kanë thënë ata që kanë qenë në burg me Hatlijen (e të gjithë sot janë jashtë), se ajo vdiq nën torturë duke thirrur “Rroftë Partia”. Ne kemi bindje të fortë se ashtu do të ketë ndodhur, mbasi neve dhe Hatlijen nuk kishte dhe nuk ka seç na lidh me armikun. Pra, çdo akuzë kundër saj ishte e gënjeshtërt.
Edhe i ati i Hatlijes, njeri i vobegët ishte arsimtar, e vdiq si patriot në Vjenë. Ne të gjithë dhe vetë Hatlija dhamë për lëvizjen siç e dini edhe ju gjithçka na lejuan rrethanat, me qindra herë e kemi vënë veten në rrezik. Për atë që ndihmuam për fitoren mbi armikun, nuk na vjen fare keq dhe nuk jemi aspak pishman, ajo i qoftë hallall Partisë se ne bëmë detyrën si na mësoi ajo. Djali jem Ramazani është më i humbur se unë plaka për me e ndjek çështjen deri te udhëheqja.
Djemtë e motrës teme, Hamdi Sallaku, Xhavid Sallaku e matufi Mahmut Sallaku që kanë dijeni të plotë për punën tonë e që janë në pozita në Parti e në pushtet nuk kanë tregu asnjë interesim, sado të vogël. Unë e kam marrë vesh vonë po nga Hamdiu se ai e ka ditë mirë që Hatlija është e pafajshme, kështu që më mirë mund të pyesni Hamdiun se mua plakës nuk m’i tregojnë të gjitha.
Nuk di pse ato nuk guxojnë me tregu të vërtetën mbi aktivitetin e familjes sonë, nuk e di pse Hamdiu harroji dhjetrat e ilegalëve që sillte në shtëpinë tem. Për sa i përket Mahmutit, ai thotë se ajo është një çështje e vjetër e nuk meriton me e ndjek. Nuk di si ka qenë çështja, por vetëm di se Mahmuti sikur nuk ka qejf me bisedue mbi këtë çështje, ndonëse unë tezja e tij kam dëshirë me e dit atë.
E dashur si bija ime shoqe Liri! Jam krejt e bindur se nga akuza krejt të rreme Hatlija vdiq. Vdekja e saj më shkaktoi një dhimbje shumë të madhe jo vetëm si nënë për fëmijën, por sepse ajo vdiq si armike, në një kohë kur ne fituam mbi armiqtë, megjithatë që ju e dini. Më copë- tohet zemra kur për çdo përvjetor e ditë përkujtimore udhëheqësit e shokët nderojnë me vizita familjet që ndihmuan në triumfin e revolucionit, shkruan Panorama.
Ne jo vetëm asnjëherë nuk ngushëllohemi, por për më zi, figurojmë edhe si familje e prekur nga Pushteti Popullor. Me synin e armikut shikohem, unë plas nga inati që në mes meje dhe familjeve të armiqve e tregtarëve të mos ketë ndryshim. Por i jap kurajë vetes se fundi zemrën e kam të pastër dhe se gjithmonë unë kam qenë e drejtë, e pastër e pa hile ndaj partisë. Me zemër e me vepra ne kurrë nuk do jemi kundra Partisë, pasi Partia na mësoi me luftu armikun pa mëshirë.
Pavarësisht nëse do të studiohet ose jo çështja, ne mundimin tonë kurrë nuk ua japim armiqve. E keni në dorë ju, Partia që të më gëzoni mua në këto ditët e fundit të jetës sime duke e hek Hatlijen nga defteri i armiqve e duke na regjistru ashtu siç ishim familje veterane e patriote. Kur çështja të përfundojë ashtu siç them unë, ju lutem ejani e më shikoni sepse jam e dëshpërueme, me pa në shpinë time dhe një herë njerëzit që i bëmë shokë e miq në zjarrin e luftës për liri.
Duke e përfunduar letrën i uroj nga zemra jeme e fortë Partisë dhe Komitetit Qendror me shokun Enver në krye, jetë të gjatë e të lumtur, sa malet tona të larta, për të mirën e popullit dhe atdheut.
Me nderime
Nadire Tafani
Tiranë, më 7/XI/1959
KOHA JONË SONDAZH

