Zhuliana Jorganxhi, mbretëresha e vargut të dashurisë, shpirtja krijuese që e shndërroi poezinë në këngë

Nga Albert Vataj

Ka gra që ecin mbi tokë si mbi një pentagram të padukshëm; çdo hap i tyre është një notë, çdo frymëmarrje është një varg, dhe çdo fjalë është një këngë që koha nuk mund ta shlyejë. Njëra prej tyre është Zhuliana Jorganxhi.
Në oborret e ndritshme të kujtesës kombëtare, aty ku fjala bëhet lutje dhe melodia bëhet fluturim, ngrihet e bukur dhe solemne figura e një zonje që i ka kushtuar jetën e saj fjalës, Zhuliana Jorganxhi.
E lindur në Korçën e serenatave dhe ëndrrave të buta, bijë e një familjeje ku arti nuk mësohej, por merrej me qumështin e nënës, ajo hyri në tempullin e poezisë si një priftëreshë e thirrur nga vetë Muzat. Dhe Muzat nuk e lanë më kurrë.
Që në moshën e rinisë, vargu i saj nuk njohu as frikë, as drojë. Ai erdhi i pastër si burim mali dhe i thellë si deti, duke u bërë udhërrëfyes i ndjenjave të një brezi. Në librat e saj, fjala u rrit si pemë e mirë; në këngët e saj, meloditë morën aromën e dashurisë dhe të lirisë. “Jon”, “Kthehu për vete, për mua”, “Ne, bijtë e lirisë” – nuk janë thjesht tituj, por faqe të himnit tonë emocional, kënduar në festa e në sheshe, në dashuri dhe në rebelim.
Ajo i dha dashurisë gjuhën e vargut, i dha lirisë zërin e këngës dhe i dha kohës kujtesën e bukurisë. Në mërgimin e saj në Trieste, nuk e ndau kurrë zemrën nga atdheu; çdo poezi ishte një urë, çdo këngë – një flamur që valëvitej mbi brigjet e largëta.
Nga faqet e librave tek tingujt e festivaleve, ajo krijoi një univers ku fjala është dritë, kënga është zemër, e dashuria, flamuri i vetëm që nuk ulet kurrë. Në qindra tekste këngësh, që u bënë himne të dashurisë, të lirisë e të shpresës, ajo ia fali zërin brezave, u bë rrëfimtarja e emocioneve të tyre dhe kumtarja e ëndrrave kolektive. Me vargjet e saj u shkrua gjeografia e ndjenjës shqiptare – nga valët e Jonit te bulevardi i protestave të Dhjetorit ’90.
Si poete, si krijuese, si grua e fjalës dhe e shpirtit, Zhuliana Jorganxhi ka qenë gjithmonë një urë, mes traditës dhe modernes, mes tokës amtare dhe brigjeve ku jeta e solli, mes artit që ajo kultivoi dhe brezave që e trashëgojnë. Në librin Zëri i shpirtit tim ajo vetë e dëshmoi se arti nuk është profesion, por gjendje shpirtërore që nuk shuhet as nga vitet, as nga largësia.
Ajo nuk është thjesht një emër në faqet e letrave shqipe, por një stacion i ndjenjës kombëtare, një faltore ku fjala merr dritë, melodia merr frymë dhe dashuria bëhet e prekshme.
Për kontributin e madh për këngën shqipe, për përkushtimin dhe atdhetarizmin e saj, dhe për angazhimin e saj si intelektuale e vijës së pare, me mirënjohjen ndaj punës së çmuar si artiste e fjalës shqipe; për krijimtarinë e saj të begatë me përkushtim dhe atdhetarizëm për këngët shqiptare, duke dhënë shembullin si frymëzuese dhe pararendëse e një brezi të mrekullueshëm krijuesish. Në vlerësim të veprës si intelektuale e vijës së parë, e cila përmes mesazheve dhe kumteve të saj, ndihmoi në veçanti për emancipimin e gruas dhe rinisë shqiptare, Zhuliana Jorganxhi është nderuar nga Presidenti i Repiblikws, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Në ditën e saj, e përshëndesim jo vetëm si një poete të madhe, por si një udhëtare të shpirtit, që din të gjejë fjalën e duhur edhe aty ku të tjerët gjejnë vetëm heshtje. Dhe i urojmë jetë të gjatë, frymëzim të pashtershëm, sepse kombi që ka poetë si Zhuliana Jorganxhi, ka gjithmonë një arsye për të ëndërruar, për të dashuruar dhe për të kënduar.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?