Zhvlerësimi i monedhës euro, qeveria ndihmë eksportuesve. Ibrahimaj: Ngrirje te pagesat e tatim-fitimit e rimbursim TVSH

Zhvlerësimi i monedhës euro bën që Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të ofrojë disa lehtësira për eksportuesit. Për periudhën e mbetur të vitit, eksportuesit nuk do të paguajnë këstet e tatimit mbi fitimin.

“Kemi përgatitur një akt normativ, që do të miratohet shpejt nga qeveria, që këto kompani të mos paguajnë këste tatim-fitimi duke krijuar kështu një mundësi të rritjes së likuiditetit që kompanitë kanë në dispozicion”, tha ministrja Delina Ibrahimaj.

Një tjetër lehtësi është edhe rimbursimi i TVSH-së për vetëm tre ditë. “Do të marrim masa me qëllim që rimbursimi i TVSH-së që merret nga eksportuesit pranë administratës tatimore, që duhet të jepet brenda një afati 30-ditor, do të jepet me një afat më të shkurtër, brenda 3 ditëve”.

Në konferencën për mediat, ministrja Delina Ibrahimaj tha se është vendosur po ashtu krijimi një grupi pune me qëllim analizimin e mëtejshëm të situatës.

SHKARKO APP