Zija Çela, misionar i një pune të pakryer…
Nga:
Zija Çela, misionar i një pune të pakryer…
( Dedikim në ditën e lindjes së shkrimtarit)
Në letërsinë e çdo gjuhe ka shumë shkrimtarë. Nga shkrimtarët, fare pak ia dalin të bëhen të mëdhenj. E prej të mëdhenjve, vetëm disa syresh ia mbërrijnë të jenë misionarë.
Jo se ata zgjedhin të bëhen të tillë, por roli që luajnë, pesha e veprës që krijojnë dhe rezonanca e saj, ndikimi dhe personaliteti krijues i tyre, trendi që përcaktojnë dhe misioni që përmbushin i përveçon prej të tjerëve.
Nga ky rend i hierarkisë së vlerave, por edhe i misionit që përmbushin, nuk bën përjashtim as letërsia shqipe, e cila, e gjendur shpesh në udhëkryqe qytetërimesh e kulturash, mes mjegullash të shumta e përballë tallazeve të kohës, por edhe nën kërcënime kryqëzatash të pushteteve që nuk kanë të bëjnë me ligjësitë e shenjta të krijimit, ia ka dalë të mbijetojë e të rijetësohet me më shumë energji, pa e humbur busullën e orientimit e pa e cënuar identitetin e saj, prej rolit përcaktues të misionarëve të vet, që janë shfaqur atëherë kur i janë dashur më shumë.
E në historinë e lëtërsisë shqipe, qyshse prej ajo na vjen e dokumentuar, gjejmë se sa herë është vënë në provë fati i saj, asnjëherë nuk i kanë munguar misionarët, shpëtimtarët, ata që në një farë mënyre kanë përcaktuar edhe rrjedhat e zhvillimit të saj.
Kështu për shembull, kur jo vetëm letërsia shqipe por e gjithë bota shqiptare kishte nevojë të dëshmonte identitet, modernitet dhe bashkëkohësi, e në këtë kontekst edhe qenësinë e kulturës shqiptare si vlerë autentike në mozaikun e kulturës europiane, si misionar i kësaj kauze jo vetëm ekzistenciale, por edhe motivuese gjithashtu, u shfaq De Rada, i cili me veprën e vet u bë nismëtar i një lëvizjeje të madhe, siç ishte Rilindja Kombëtare shqiptare e shekullit të nëntëmbëdhjetë, jetike edhe për të gjitha zhvillimet e mëpasshme në historinë e kombit tonë.
Naimi padyshim ishtë po ashtu misionar me gjurmë themeli në gjithë atë levizje që ndau e përcaktoi epoka në historinë tonë kombëtare, shumë më tepër se sa vetëm me kontributet në letërsi shqipë.
Ndërsa në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, vjen një tjetër misionar; Migjeni, që me një angazhim e rol pothuajse mitik, jo vetëm që ndjeu i pari nevojën e ndryshimit, por edhe u bë themeluesi e pararendësi i tij e i një letërsie ndryshe, i një letërsie me frymëmarrje e diapazon universal dhe me referenca qytetërimi që mbeten edhe sot e kësaj dite migjeniane e të patejkalueshme ende.
Migjeni, duke revolucionarizuar formën dhe emancipuar përmbajtjen, e bëri letërsinë e kohës së vet po aq qytetare dhe militante në kuptimin e misionit, angazhimit, mesazhit dhe vlerave që mbartëte, po aq sa edhe letërsitë e vendeve të tjera të botës moderne, edhe pse Shqipëria tjetër, Shqipëria subjekt i veprës së tij, nuk kishte asgjë në jetën e vet sociale dhe politike që e lidhte me Europën e asaj kohe.
Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, letërsia shqipe duhej të dëshmonte se kanonet e realizmit socialist dhe dogmat e ideologjisë së shekullit nuk mund t’ia prisnin asaj jo vetëm urat e komunikimit, por edhe të ndërveprimit me letërsinë botërore dhe se nuk mund t’a ndalnin dot atë, që të ishte e denjë të kishte shkrimtarë të përmasave europiane e më tej, që të dinin t’i dilnin zot me veprën e tyre.
Por nga ana tjetër, edhe që të prinin tendenca dhe zhvillime letrate nëpër shtigje të panjohura më parë për realitetin tonë letrar, pa të cilat, ajo do të atrofizohej e do të mbetej në nivele mediokre, jashtë orbitës së zhvillimeve të letërsisë bashkëkohore në pjesën tjetër të botës.
Dritëroi, Kadareja, Fatos Arapi dhe në fakt, ai që nuk kishte asgjë më pak nga këta të tre, por që padrejtësisht nuk renditej me ta për kritere jashtëletrare, Dhori Qiriazi, e në prozë Petro Marko, u bënë misonarët e prishjes së barrierave edhe ideologjike në një kuptim, për t’i dhënë letërsisë shqipe modernitetin e domosdoshëm të ekzistencës, mbijetesës, dhe zhvillimit të njëkohëshëm, aspak të ndryshëm nga trendet e letërsisë botërore.
Me ndryshimin e sistemeve pas përmbysjes së komunizmit, edhe letërsia shqipe u gjend ashtu sikundër vetë shoqëria shqiptare, jo vetëm përpara sfidës së mbijetesës në kushtet e reja, por edhe përpara sprovës për të dëshmuar se vlera reale e saj nuk kishte të bënte e nuk ishte e kushtëzuar prej regjimit a raporteve me pushtetin e shërbimin ndaj tij, por prej ligjësive universale të lirisë e krijimit si përmasë lirie.
Artistët në tërësi e shkrimtarët në veçanti u gjendën kësisoj në liri, por edhe në sfidë me të e të sfiduar prej vetë lirisë.
Ata u gjendën në sfidë për të na dëshmuar se sa të zotë ishin për të na dhënë letërsinë e lirisë.
Marrdhënia e shkrimtarëve shqiptarë me lirinë është një fushë që meriton vëmendje e trajtesë të veçantë, por në keto rradhë mund të them se për fat të keq, shumë prej tyre nuk e përballuan dot sfidën e lirisë, pa sa për ta sfiduar atë as që mund të bëhet fjalë.
Shkrimtarë që përpiqeshin të justifikonin mediokritetin dhe shterpësinë e tyre në vlera artistike gjatë rregjimit komunist, me faktin se nuk i linte realizmi socialist apo censura e rregjimit të shprehnin gjithë potencialin e talentit që zotëronin, humbën, nuk mbetën më emra në letërsi e i gjithë produkti i tyre mbeti tek stoku i letërsisë së realizmit socialist. Ata nuk ia dolën të kapërcenin veprën e tyre të mëparshme, madje as ta mbërrinin dot atë.
Shumë pak prej tyre u bënë shkrimtarë të letërsisë së kohës së lirisë.
Dritëroi na dha në epokën e dytë të krijimtarisë së vet letërsi të denjë për emrin e tij e në vlerësimin tim, shkruajti poezi më të mirë nga ajo e kohës së komunizmit apo edhe romane antologjikë si “Arka e Djallit”.
Fatos Kongoli, në periferinë e letërsisë në kohën e parë, befason e imponohet me një korpus veprash krej të ndryshme e më shumë të spikatur jo prej numrit të titujve, po prej cilësisë artistike në kohën e dytë, aq sa të krijon idenë se kemi të bejmë me një shkrimtar tjetër nga ai i mëparshmi, prej letërsisë tjetër që na jep, letërsi me dimensionet dhe vlerat e kohës së lirisë.
Në kalamendjet e tejzgjatura nëpër qerthullin e pasigurisë e pothuaj edhe të mungesës së shpresës ku u gjend letërsia e më shumë romani shqiptar i epokës së lirisë pas komunizmit, në krizë identiteti e në çoroditje vlerash, kompleksuar prej të shkuarës dhe pa guximin për të gjetur hullinë e vet në kohën e re, Zija Çela shfaqet si misionar e bëhet pararendës në realitetin e ri, pa mëdyshje, pa dilema, pa komplekse prej të shkuarës dhe i kthjellët për çfarë duhet të bëjë.
Me dinjitetin e krijuesit që autoritetin ja jep vepra, ai na provoi se letërsinë e madhe e bëjnë shkrimtarët misionarë që nuk kushtëzohen prej sistemit apo regjimit politik gjatë të cilit e bëjnë letërsinë e tyre, por vetëm prej regjimit të talentit dhe fuqisë së përjetimeve të një shpirti që e shndërron talentin në shërbëtor dhe po aq edhe në fuqi të krijimit.
Edhe pse shkruan në dy kohë, Zija Çela nuk ka dy krijimtari, nuk ka dy letërsi.
Raporti i tij me krijimin është raporti i tij me jetën e shfaqen pazgjidhshmërisht bashkë, nëpër të njejtën udhë e nëpër të njejtën kurbë, me luhatje natyrisht, por gjithnjë e progresivisht në rritje.
Zija Çela nuk është nyja lidhëse e letërsisë shqipe në kapërcyell të dy shekujve, por palca e kontinuitetit dhe e kohezionit të saj në gjithanëshmërinë e vet.
E nga kjo pikëpamje, pa asnjë mëdyshje mund të them se Zija Çela është referenca me e spikatur e mbrojtësit të nderit të prozës shqipe të kohës së vet.
Por ai bëhet edhe modeli me prirje e prurje pasuruese i saj, gjithnjë novator me sqimë, i matur, pa teprime, punëtor me dashuri të madhe për letërsinë e vendit të vet.
Përqasjet dhe analizat krahasuese janë një metodë e njohur dhe shumë e përhapur edhe në botën e studimeve të dukurive dhe fenomeneve letrare, përkatësisht edhe të individualiteteve të letërsisë, në gjuhësi, filologji e më gjerë edhe në fushat e tjera.
Së këtejmi, edhe ndër ne, shumë studiues, shkrimtarë, kritikë, albanologë, botues, por edhe lexues të veprës së Zija Çelës, sa herë që ata janë shprehur për të, e kanë gjetur me vend, dhe natyrisht edhe me të drejtë, ta krahasojnë shkrimtarin tonë me të tjerë shkrimtarë të mëdhej të letërsisë botërore e veprën e tij me modele nga më të arrirat të asaj letërsie.
Nuk jam kundër, por në vlerësimin tim, vepra e Zija Çelës ka një univers dashurie që është vetëm e tija dhe që e merr jetën prej shpirtit të shkrimtarit, ndjeshmëria dhe brishtësia e të cilit e bëjnë atë dashuri sa tokësore, aq edhe hyjnore në të njejtën kohë.
Ndaj unë do ta krahasoj Zija Çelën vetëm me Zija Çelën, dhe veprën e tij që është e gjitha një metaforë dashurie për njeriun, e shoh si një tempull të ndërtuar prej kultit të jetës.
Vepra e Zija Çelës është një metaforë ku bashkohen në një, ai dhe ne, krijuesi dhe krijimi, koha dhe pakoha, konkretja dhe abstrakja, jeta dhe pertejjeta.
Por kjo metaforë kaq e bukur, ka ende kate të paplotësuar, megjithë rendjen e palodhur të shkrimtarit për të mbërritur në majë.
Letërsia shqipe nuk e ka luksin ta quaj të kryer shërbimin e Zija Çelës ndaj saj, e mu për këtë arsye, ai është misionar i një pune të pakryer…